Garën për kryetar të Podujevës do ta fitoj unë

21 tetor 2020 | 11:19

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka shprehur lumturi për caktimin e datës për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të kësaj komune.

Ai ka shprehur bindjen se më 29 nëntor do të arrijë fitore në këtë komunë, e cila konsiderohet bastion i LDK-së që 20 vjet.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ai ka thënë se llapjanët janë ngopur me qeverisjen e deritashme, e cila, sipas tij, ka abuzuar me të mirat publike.

“Ne jo që jemi optimistë, por jemi të bindur se qytetarët llapjanë tashmë kanë provuar për këta 20 vjet pushtetin e kësaj klase qeverisëse, e cila kryesisht ka qeverisur duke abuzuar me të mirat publike dhe duke keqpërdorur në mënyra të ndryshme buxhetin komunal. Prandaj, besoj se qytetarët llapjanë tashmë e dinë se cili do të  jetë drejtimi i qeverisjes lokale nga Lëvizja Vetëvendosja”, ka thënë ai.

Bulliqi ka vlerësuar se ky mandat jo i plotë do t’i mjaftonte atij për ndaljen e keqpërdorimeve në komunë. “Ju e dini se këto janë zgjedhje për një periudhë të shkurtër kohore. Derisa të mbyllet ky proces mbetet më pak se një vit për të qeverisur dhe sigurisht se do të jetë vështirë për të ofruar premtime të mëdha. Por, besoj se kjo periudhë kohore do të mjaftojë të ndalen këto keqpërdorime dhe abuzime të këtij pushteti lokal”, ka vlerësuar ai.

Megjithatë, kandidatin e LV-së është duke e shqetësuar fakti pse kjo datë e mbajtjes së zgjedhjeve është shtyrë aq shumë. Bulliqi ka thënë se duke pasur parasysh kohën e pandemisë dhe mundësinë e valës së dytë të koronavirusit, data është dashur të vendoset më herët. “Po të ekzistonin vullneti dhe dëshira e aktorëve të caktuar për t’i mbajtur këto zgjedhje, ka pasur mundësi që ky proces të mbahet më shpejt. Megjithatë, ne shpresojmë që të mos rritet vala e të infektuarve, pra që pandemia të jetë në kontroll dhe këto zgjedhje të mbahen pa ndonjë problem”, ka deklaruar Bulliqi.

“Epoka e re”: Z. Bulliqi, presidenti i vendit ka vendosur që më 29 nëntor të mbahen zgjedhjet për kryetar të Komunës së Podujevës . Si e keni parë këtë vendim të presidentit për këtë datë?
Bulliqi: Ne e kemi marrë edhe zyrtarisht këtë informacion. Si subjekt politik prej muajit qershor kemi kërkuar që këto zgjedhje të organizohen dhe të përfundojnë, sepse ishte një proces që kishte mbetur në gjysmë. Mirëpo zvarritjet që kanë ndodhur për këtë proces po del se kanë qenë të pajustifikueshme. Ky proces ka mundur të kryhet shumë më herët. Sidoqoftë, kjo shtyrje dhe përzgjedhja e kësaj date në muajin e ftohtë të dimrit, na lë të kuptojmë se shtyrja e deritashme e kësaj date është bërë me një tendencë të caktuar. Sidoqoftë, ne si subjekt politik kemi gatishmërinë që t’i futemi këtij procesi, sepse edhe më herët i kemi bërë përgatitjet. Gjatë kësaj periudhe kohore do t’i shtojmë përgatitjet deri në zgjedhje. Shpresojmë shumë se në këto zgjedhje do të dalim fitues.

 “Epoka e re”: Pse mendoni se ky proces është zvarritur qëllimshëm?
Bulliqi: Këto janë zgjedhje të jashtëzakonshme. Edhe data e parë për këto zgjedhje që ishte caktuar më 15 mars nuk ishte lënë një afat kaq i gjatë kohor. Pra, tani kemi pesë javë diferencë deri në mbajtjen e këtij procesi. Mendoj se po të kishte ekzistuar vullneti politik do të kishte mjaftuar një periudhë kohore dhjetëditore për të organizuar dhe përfunduar në mënyrë të suksesshme këtë proces. Sidoqoftë, ne si Lëvizje Vetëvendosje i respektojmë këto vendime dhe do të punojmë shumë që në fund të këtyre zgjedhjeve të dalim fitimtarë. Pra, që ta ndryshojmë pushtetin në Komunën e Podujevës.

“Epoka e re”: Cila do të jetë oferta juaj politike për qytetarët e kësaj komune?
Bulliqi: Ju e dini se këto janë zgjedhje për një periudhë të shkurtër kohore. Derisa të mbyllet ky proces mbetet më pak se një vit për të qeverisur dhe sigurisht se do të jetë vështirë për të ofruar premtime të mëdha. Por, besoj se kjo periudhë kohore do të mjaftojë të ndalen këto keqpërdorime dhe abuzime të këtij pushteti lokal. Mendoj se do të jetë e mjaftueshme që të parapërgatitemi për zgjedhjet e rregullta lokale të cilat pritet të mbahen në vitin e ardhshëm. Sigurisht se ka shumë keqpërdorim të pushtetit, duke filluar nga gjërat më të imta e deri te punësimet mbi baza partiake. Pastaj ka forma të ndryshme abuzive në pushtetin lokal dhe shumë lëshime të tjera të mëdha të cilat i ka bërë ky pushtet. Prandaj, mendoj se kjo periudhë e shkurtër kohore do të mjaftojë që të ndalet kjo e keqe dhe të fillohet të punohet për së mbari në të gjitha fushat.

 “Epoka e re”: Pra, jeni optimistë se do ta fitoni këtë garë zgjedhore më 29 nëntor, ani pse garoni në një komunë e cila prej 20 vjetësh është bastion i LDK-së?
Bulliqi: Ne jo që jemi optimistë, por jemi të bindur se qytetarët llapjanë tashmë kanë provuar për këto 20 vjet pushtetin e kësaj klase qeverisëse e cila kryesisht ka qeverisur duke abuzuar me të mirat publike dhe duke keqpërdorur në mënyra të ndryshme buxhetin komunal. Prandaj, besoj se qytetarët llapjanë tashmë e dinë se cili do të jetë drejtimi i qeverisjes lokale nga Lëvizja Vetëvendosja. Po ashtu, unë si kandidat kam bukur shumë njohuri për qytetarët e kësaj komune, prandaj jam shumë optimist se ne do të dalim fitimtarë në këtë proces.

“Epoka e re”: Kësaj here fushata zgjedhore dhe zgjedhjet do të mbahen në kohë pandemie. Sa do të jeni të kujdesshëm që tubimet tuaja të mos ndikojnë në përhapjen e kononavirusit?
Bulliqi: Kam besimin e plotë se tashmë të gjitha masat janë liruar dhe sigurisht se duhet pasur kujdes për t’i respektuar rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike. Dhe gjithsesi edhe ne si subjekt politik do të jemi shumë të vëmendshëm që qytetarët tanë të kenë një siguri maksimale gjatë mbarëvajtjes së këtij procesi zgjedhor. Para së gjithash, ne shpresojmë që puna e pandemisë do të ecë me ritme ngadalësuese, çfarë është tash. Pra, që të mos kemi rritje të të infektuarve dhe besoj se do të përmbyllet suksesshëm ky proces zgjedhor.

“Epoka e re”: Meqenëse IKShPK-ja dhe qeveria po paralajmërojnë një valë të dytë të koronavirusit, a ju shqetëson fakti se shtimi i rasteve mund të çojë përsëri në anulimin e këtij procesi?
Bulliqi: Për këtë arsye e thashë në fillim se nuk ka pasur asnjë justifikim shtyrja aq e madhe e datës së këtyre zgjedhjeve sepse, sipas parashikimeve, pritet valë e re e përhapjes së virusit Covid-19. Prandaj, këtu shtohet dilema se cila ka qenë arsyeja e shtyrjes kaq e madhe e kësaj date kur ka mundur të caktohet ndonjë datë më e afërt. Pra, po të ekzistonin vullneti dhe dëshira e aktorëve të caktuar për  t’i mbajtur këto zgjedhje, ka pasur mundësi që ky proces të mbahet më shpejt. Megjithatë, ne shpresojmë që të mos rritet vala e të infektuarve, pra që pandemia të jetë në kontroll dhe këto zgjedhje të mbahen pa ndonjë problem.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, është paraqitur…