Gashi: Asociacioni të jetë pa kompetenca ekzekutive

04 prill 2018 | 17:10

Zëvendëskryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Xhafer Gashi, ka bërë me dije se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet të jetë pa kompetenca ekzekutive.

Ai është shprehur i bindur se ky asociacion do të themelohet në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Gashi ka thënë se nëse ky asociacion themelohet në këtë mënyrë, ai do të jetë vetëm një OJQ siç është edhe Asociacioni i Komunave të Kosovës.

“Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive. Duhet të jetë në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Mendoj se kjo është rruga e duhur dhe më e mira e krijimit të këtij asociacioni”, ka thënë Gashi.

Ai nuk beson se në hartimin e statutit të këtij asociacioni do të merren parasysh kërkesat e Serbisë, që ai të ketë kompetenca shtesë.

“Besoj se kjo nuk do të ndodhë, sepse një gjë e tillë do të ishte në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. Me siguri i keni dëgjuar edhe deklarimet e Qeverisë së Kosovës se një gjë e tillë nuk do të ndodhë dhe se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe do të themelohet vetëm sipas Kushtetutës së Kosovës”, është shprehur Gashi, duke shtuar se vetëm kjo mënyrë e themelimit të asociacionit të ri nuk do të provokonte ndonjë ndarje etnike në mes të komunave të Kosovës. Sipas tij, raportet në mes të dy asociacioneve duhet të jenë ashtu siç e parasheh ligji.

“Ne jemi të gatshëm për bashkëpunim dhe gjithherë këto bashkëpunime duhet të jenë vetëm në suaza të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës”, ka deklaruar Gashi, i cili është edhe kryetar i Komunës së Obiliqit.

Ai është zotuar se kryesia e re e Asociacionit të Komunave të Kosovës me përkushtim do të merret me të gjitha shqetësimet e komunave në vend. “Ka shumë ligje të cilat duhet të harmonizohen mes vete. Shqetësimet kryesore vijnë nga dhënia e kontributit për përpilimin e ligjeve, rregulloreve dhe akteve të tjera nënligjore. Pastaj, kemi problemin e Ligjit për miniera dhe minerale, ku asociacioni është inkuadruar dhe po punon në këtë drejtim. Po ashtu, është Ligji për dhënien e pronave në shfrytëzim dhe disa ligje të tjera. Pra, ligjet që janë në proces i marrim dhe i trajtojmë bashkërisht”, ka thënë Gashi.

“Epoka e re”: Z. Gashi, Asociacioni i Komunave të Kosovës ka mbajtur Kuvendin e Përgjithshëm vjetor, në të cilin është zgjedhur kryetari i ri Agim Veliu dhe ju zëvendëskryetar, si dhe anëtarët e tjerë të bordit. Cilat janë synimet e bordit të ri të këtij asociacioni?
Gashi: Kemi mbajtur Kuvendin e Përgjithshëm vjetor të Asociacionit të Komunave të Kosovës, në të cilin është zgjedhur kryetar i ri Agim Veliu nga radhët e LDK-së, pasi kjo është partia që qeverisë më së shumti komuna në vend. Bordi ka gjithsej shtatë anëtarë, ku tre prej tyre i takojnë LDK-së, dy AAK-së, një PDK-së dhe një anëtar komunitetit serb. Në presim që javën e ardhshme të ulemi bashkërisht si udhëheqje e re dhe të fillojmë t’i shqyrtojmë të gjitha temat. Natyrisht se ne do t’i trajtojmë të gjitha kërkesat që vijnë nga komunat e Kosovës dhe të gjitha shqetësimet që ne i kemi të përbashkëta.

“Epoka e re”: Meqenëse ju për dy mandate jeni kryetar i Komunës së Obiliqit, cilat janë shqetësimet më të mëdha të komunave?
Gashi: Ka shumë ligje të cilat duhet të harmonizohen mes vete. Shqetësimet kryesore vijnë nga dhënia e kontributit për përpilimin e ligjeve, rregulloreve dhe akteve të tjera nënligjore. Pastaj kemi problemin e Ligjit për miniera dhe minerale, në të cilin asociacioni ynë është inkuadruar dhe po punon në këtë drejtim. Po ashtu është Ligji për dhënien e pronave në shfrytëzim dhe disa ligje të tjera. Pra, ligjet që janë në proces i marrim dhe i trajtojmë bashkërisht.

“Epoka e re”: Qeveria ka bërë me dije se ka filluar të merret me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Çfarë kontributi mund të japë asociacioni ekzistues për formimin e asociacionit të ri?
Gashi: Besoj se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet të themelohet njësoj sikurse asociacioni ynë. Kjo nënkupton se edhe ai asociacion duhet të themelohet sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës. Nëse institucionet qendrore e shohin të nevojshme ndihmën tonë në këtë proces, ne do të jemi të gatshëm për ta dhënë kontributin tonë në këtë drejtim.

“Epoka e re”: Në fakt, ju si asociacion a do të kërkoni të jeni pjesë e grupit për hartimin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe?
Gashi: Ne si asociacion sapo e kemi zgjedhur kryesinë e re dhe natyrisht se presim informata të mëtutjeshme në këtë drejtim. Po e përsëris se si asociacion jemi të gatshëm ta japim kontributin tonë aty ku është i nevojshëm dhe i domosdoshëm.

“Epoka e re”: Pra kërkesa e Asociacionit të Komunave të Kosovës është që asociacioni i ri serb të jetë pa kompetenca ekzekutive?
Gashi: Natyrisht. Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive. Duhet të jetë në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Mendoj se kjo është rruga e duhur dhe më e mira për krijimin e këtij asociacioni.

“Epoka e re”: Mirëpo Serbia dhe përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës kanë kërkuar që ky asociacion të ketë kompetenca më shumë sesa asociacioni ekzistues?
Gashi: Besoj se kjo nuk do të ndodhë, sepse një gjë e tillë do të ishte në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. Me siguri i keni dëgjuar edhe deklarimet e Qeverisë së Kosovës, se një gjë e tillë nuk do të ndodhë dhe se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe do të themelohet vetëm sipas Kushtetutës së Kosovës.

“Epoka e re”: Besoni se edhe ai asociacion duhet jetë një lloj OJQ-je sikurse ky aktuali?
Gashi: Realisht ashtu duhet të jetë. Faktikisht nuk ka pasur nevojë fare të bëhet edhe një asociacion tjetër në Kosovë sepse mjaftueshëm i përfaqëson interesat e të gjitha komunave asociacioni aktual i komunave. Mirëpo, siç e dini, ai asociacion është paraparë me Pakon e Ahtisarit, pastaj me marrëveshjen e Brukselit. Ajo që është më kryesorja, të gjithë thonë se ai asociacion duhet të jetë në harmoni me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

“Epoka e re”: Krijimi i një asociacioni etnik mund të provokojë ndonjë ndarje të re në mes të komunave në Kosovë?
Gashi: Nëse ky asociacion themelohet sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës nuk besoj se mund të prodhojë diçka të tillë.

“Epoka e re”: Pas themelimit të asociacionit të ri, si duhet të jetë raporti në mes të dy asociacioneve
Gashi: Ne jemi të gatshëm për bashkëpunim dhe gjithherë këto bashkëpunime duhet të jenë vetëm në suaza të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës.

Muhamet KOCI

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Franca dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) janë të…