
Gashi dhe Krasniqi përforcojnë Dukagjinin
Skuadra e Dukagjinit është përforcuar me dy futbollistë. Mesfushori Kushtrim Gashi dhe sulmuesi Norik Krasniqi kanë “aterruar” në Klinë, duke e përforcuar ekipin që drejtohet nga Ismet Munishi. Gashi ka luajtur për shumë klube në Kosovë, derisa karrierë ka bërë edhe në Mal të Zi.
“KF Dukagjini ka kënaqësinë të prezantojë mesfushorin e mirënjohur, Kushtrim Gashi. Gashi ka një karrierë të pasur me disa klube si FC Prishtina, FC Ballkani, KF Vëllaznimi, Besa dhe Istogu. 32-vjeçari tek ne vjen pas një sezoni të kaluar te skuadra nga Ulqini, Otrant-Olympic. Gashi do të shtojë forcë dhe stabilitet në mesfushën tonë. Mirë se erdhe Kushtrim dhe suksese me fanellën tonë”, thuhet në njoftimin e Dukagjinit.
Skuadra nga Klina e ka prezantuar edhe sulmuesin Norik Krasniqi, i cili vjen nga skuadra e Vëllaznimit nga Gjakova. “Noriku do të jetë pjesë e repartit tonë ofensivë, i gatshëm të kontribuojë me përkushtim dhe seriozitet në vijën e sulmit. 25-vjeçari ishte pjesë e Vëllaznimit në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar. I urojmë mirëseardhje Norikut dhe suksese me fanellën tonë”, thuhet në njoftim.
/Epoka e re/