Gashi thotë se LDK-ja do të kërkojë Komision Hetimor për rezervat shtetërore

09 gusht 2023 | 11:19

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, në një konferencë për medie ka theksuar se sot qytetarët e Kosovës po jetojnë në një kohë kur kriza po e mbulon krizën, dështimi po e mbulon dështimin, shkelja e Kushtetutës po e mbulon shkeljen paraprake të Kushtetutës, shkelja e ligjit po e mbulon shkeljen paraprake të ligjit, ndërsa afera po e mbulon aferën.

Ai ka thënë se keqpërdorimet dhe abuzimet eventuale të kësaj qeverie me rezerva shtetërore, përkatësisht me produkte esenciale, kërkojnë qasje hetimore serioze dhe përmbajtjesore, raporton “Epoka e re”.

“Prandaj, në mbledhjen e parë të sesionit vjeshtor në Parlamentin e Kosovës, LDK do të kërkojë që të formohet një Komision Hetimor Parlamentar për të hetuar keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore. Kështu që, përveç hetimeve penale që duhet t’i bëjë Prokuroria e Shtetit për këto raste, ne konsiderojmë se është e domosdoshme që të kemi edhe hetim parlamentar për të parë nga afër se sa janë respektuar ligjet dhe procedurat për çështjen e rezervave shtetërore. Duhet të kuptojmë të vërtetën se si janë menaxhuar rezervat shtetërore! Të kuptojmë se cila është procedura që është ndjekur? Të kuptojmë se a janë hapur tender për këto rezerva shtetërore? Nëse po, si kanë shkuar? Nëse jo, pse jo? Dhe nëse këto kontrata janë klasifikuara si sekrete, cila është forma që është përdorur për t’u vlerësuar si sekret?”, ka thënë Gashi.

Ai ka thënë se e vërteta duhet të del në pah.

“Duhet të dimë të vërtetën e menaxhimit politik, procedural dhe ligjor për menaxhimin me rezervat shtetërore. E vërteta na ndihmon të gjithëve; është e domosdoshme për të gjithë pa përjashtim, ndaj ne do ta kërkojmë të vërtetën me të gjitha kapacitetet dhe mekanizmat institucional, në kuadër të Komisionit Hetimor Parlamentar për menaxhimin e rezervave shtetërore”, është shprehur Gashi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Taika Waititi ka folur për fejesën e tij me  këngëtaren…