Gazeta gjermane publikon datën e nënshkrimit dhe modalitetet e marrëveshjes Kosovë – Serbi

22 shkurt 2019 | 17:36

Gazeta prestigjioze gjermane “Frankfurter Rundschau” ka shkruar për detajet e një dokumenti në të cilën ShBA dhe Bashkimi Evropian kanë shkruar marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë.

Kjo gazetë ka treguar se çfarë do të ndodhë me “Trepçën” dhe liqenin e Ujmanit, ndërsa ka zbuluar datën kur kjo marrëveshje nënshkruhet.

“Frankfurter Rundschau” shkruan se ndarja mes Kosovës dhe Serbisë në vija etnike është marrëveshje e përkrahur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, megjithatë është thënë se implementimi i këtij plani mund të jetë një rrezik i madh.

Duke cituar komisionarin për zgjerim të BE-së dhe fqinjësi të mirë, Johnnes Hahn, gazeta gjermane ka shkruar se është rritur presioni ndaj Kosovës dhe Serbisë për të arritur marrëveshje, transmeton “Gazeta Express”.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka thënë në një konferencë në Mynih të Gjermanisë, javën e kaluar se demarkimi i kufijve duhet të mbetet në tavolinën e diskutimeve.

Prestigjiozja gjermane ka cituar një dokument që paraqet skicën se si do të duket marrëveshja në mes të Kosovës e Serbisë, për çfarë palët janë akoma në bisedime.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikën, me ardhjen e Administratës Trump kanë ndryshuar 180 shkallë qëndrimin për llojin e marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë”, ka shkruar “Frankfurter Rundschau”.

Sipas kësaj marrëveshjeje, qyteti i Mitrovicës do ta marrë një status të veçantë, me ç’rast ujësjellësi i Gazivodës dhe miniera e “Trepçës” do të privatizohen për 99 vjet nga përfaqësuesit e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Rusia, Kina dhe Franca).

Në marrëveshje hyn edhe ndërtimi i bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë dhe baza detare në Vlorë. Gjithashtu autostrada nëpër Serbi, që quhet Korridori i 10-të, planifikohet të futet në protektorat ndërkombëtar.

Sipas gazetës gjermane, marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë do të nënshkruhet më 12 qershor të vitit 2019 në Uashington, ashtu siç kishte paralajmëruar presidenti amerikan, Donald Trump.

Ndërsa politikania serbe nga Kosova, Rada Trajkoviq, ka thënë se shkëmbimi i territoreve do të ishte zgjidhja më e keqe e përkrahur nga Bashkimi Evropian.

Sipas saj, kjo do të ngjallte frikë për serbët në zona të tjera të Kosovës se do të shkëputeshin komplet nga Serbia.

Linku i shkrimit të plotë në gjuhën gjermane: https://www.fr.de/politik/grenzwertige-debatte-kosovo-11781055.html.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Milani në “San Siro” nga ora 20:30 e pret skuadrën…