Gazetarët kërkojnë të jenë prioritet në vaksinim

06 prill 2021 | 19:14

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka paralajmëruar se do t’i drejtohet institucioneve kompetente, në mënyrë që gazetarët në Kosovë, të trajtohen me prioritet kur është në pyetje imunizimi i tyre kundër koronavirusit.

Për dallim nga Kosova, disa shtete të rajonit veç kanë nisur që të imunizojnë punonjësit e mediave.

Kryetarja e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli tha për Radion Evropa e Lirë, se janë në kontakt me autoritetet përkatëse dhe siç tha ajo, shpejt do të bëjnë kërkesë që edhe gazetarët të futen në listën me prioritet për vaksinim.

“Që nga kjo javë, e ndoshta edhe nga sot, do ta drejtojmë kërkesën te Ministria e Shëndetësisë që edhe kolegët tanë të jenë në listën prioritare duke pasur parasysh që ata kanë qenë në vijën e parë të frontit sa i përket luftimit të kësaj pandemie. Dhe do të shohim se a do ta kemi mirëkuptimin që edhe kolegët tanë të jenë në listën prioritare”, tha Begolli.

Begolli tha se ka qenë edhe rekomandim i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarët që gazetarët të vaksinohen të parët duke pasur parasysh me rrezikun që përballen ata. Por, deri më tani, shton Begolli, vetë gazetarët nuk kanë pasur ndonjë kërkesë që të vaksinohen kundër koronavirusit.

“Mirëpo, kjo nuk është arsye që ne mos të bëjmë një kërkesë të tillë tek institucionet përkatëse, për arsye se e dimë me saktësi se çfarë pune bëjnë kolegët tanë dhe sa janë të rrezikuar në terren nga kjo pandemi”, tha ajo.

Nga ana tjetër, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha për Radion Evropa e Lirë se deri tash nuk ka pasur ndonjë ndryshim në planin e vaksinimit, por sipas tij, gazetarët duhet të jenë ndër të parët që duhet të vaksinohen.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata e Futbollit e Kosovës nëpërmjet një njoftimi për media…