Gazetari Haliti nga Austria jep detaje për tragjedinë në Vjenë: Katër persona humbën jetën, një tjetër në gjendje të rëndë

17 mars 2026 | 23:46

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Austri, ku dyshohet se katër persona nga Kosova kanë humbur jetën si pasojë e shembjes së skelave në një kantier ndërtimi në Vjenë.

Gazetari Vehbi Haliti, drejtpërdrejt nga Austria në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, ka dhënë detaje rreth rastit tragjik.

“Në orët e pasdites kemi pasur një tragjedi të rëndë, ku në një kantier ndërtimi janë shembur skelat në pjesën e sipërme, aty ku punëtorët ishin duke punuar. Ata kanë rënë nga një lartësi relativisht e madhe në një sipërfaqe betoni. Si pasojë, katër persona kanë humbur jetën, ndërsa një tjetër është në gjendje të rëndë dhe po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare në Vjenë”, ka thënë Haliti.

Ai shtoi se menjëherë pas ngjarjes në vendin e aksidentit kanë dalë ekipet emergjente.

“Zjarrfikësit, policia dhe ambulanca kanë dalë në numër të madh për të identifikuar viktimat dhe për të ofruar ndihmën e nevojshme. Deri më tani, katër persona kanë ndërruar jetë, ndërsa një është në gjendje të rëndë”, theksoi ai.

Sipas informacioneve fillestare, viktimat dyshohet se janë nga rajoni.

“Ajo që dihet deri tani është se tre persona janë shqiptarë, ndërsa një është nga Bosnja, por identiteti i tyre ende nuk është konfirmuar zyrtarisht”, u shpreh Haliti.

Ai potencoi se shkaku i aksidentit dyshohet të jetë rënia e skelave nga një lartësi e madhe.

“Duket se shembja e skelave ka ndodhur nga një lartësi e konsiderueshme dhe ajo që e bën rastin edhe më tragjik është se rënia ka qenë direkte në një pjesë të betonuar”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka shprehur ngushëllime për familjet e viktimave.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pasi sot në…