Gazetarja Arlinda Sejda jep dorëheqje të parevokueshme nga RTK-ja
Gazetarja Arlinda Sejda ka njoftuar se sot ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga Radio Televizioni i Kosovës (RTK).
Ajo ka bërë të ditur se vendimin e ka marrë me qëllim të mbrojtjes së parimeve bazë të gazetarisë dhe për të ruajtur integritetin e saj profesional.
Në një postim në “Facebook”, Sejda ka shkruar se pas një dekade pune është detyruar të largohet nga RTK-ja, pasi, sipas saj, nuk ka mundur ta ushtrojë profesionin në përputhje me bindjet e saj profesionale, standardet etike dhe përgjegjësinë ndaj publikut.
“Pas një dekade pune, sot jam detyruar të largohem nga RTK, duke dhënë dorëheqje të parevokueshme. Këtë vendim e kam marrë me qëllim të mbrojtjes së parimeve bazë mbi të cilat mbështetet ushtrimi i profesionit të gazetarit”, ka shkruar ajo.
Sejda ka theksuar se gjatë gjithë karrierës së saj ka besuar se gazetaria duhet të bazohet në verifikimin e fakteve, pavarësinë profesionale dhe interesin publik.
“Këto parime më kanë udhëhequr në çdo vendim timin dhe mbeten arsyeja pse zgjodha këtë profesion, por edhe pse po e marr këtë vendim sot”, ka shkruar ajo.
Gazetarja ka thënë se dorëheqja është një akt personal dhe profesional, i ndërmarrë për të ruajtur integritetin e saj dhe për të qenë në përputhje me ndërgjegjen profesionale.
Ajo ka falënderuar kolegët me të cilët ka bashkëpunuar ndër vite, si dhe qytetarët për besimin e dhënë, duke theksuar se besimi i saj në gazetarinë e pavarur dhe të bazuar në fakte mbetet i palëkundur.
“Gazetaria e lirë, profesionale dhe e pavarur është themeli i një shoqërie demokratike dhe një vlerë për të cilën ia vlen të qëndrohet me dinjitet”, ka shkruar Sejda.



