Çdo qytetar madhor në Maqedoninë e Veriut mund të bëhet dhurues organesh, Kuvendi miratoi ndryshimet ligjore
Çdo qytetar madhor në Maqedoninë e Veriut do të mund të deklarohet personalisht nëse, pas vdekjes, dëshiron të jetë dhurues i organeve, përmes një deklarate te mjeku i tij amë.
Me këtë zgjidhje, Kuvendi ka miratuar ndryshimet në Ligjin për marrjen dhe transplantimin e pjesëve të trupit të njeriut për qëllime shërimi, me 58 vota “pro” dhe 6 “kundër”, duke ndryshuar qasjen ndaj dhurimit të organeve dhe transplantimit në vend.
Zgjidhja e re ligjore parasheh që deklarata të regjistrohet përmes një moduli të veçantë digjital në sistemin “Termini im”, ndërsa qytetarët në çdo moment do të mund ta ndryshojnë ose ta tërheqin vendimin e tyre.
Sipas arsyetimit të ndryshimeve ligjore, qëllimi është të sigurohet shprehje më e qartë e vullnetit personal, besim më i madh në sistem dhe informim më i mirë për rëndësinë e dhurimit të organeve.
Duke e arsyetuar ligjin para deputetëve, ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, ka thënë se transplantimi nuk është vetëm një procedurë mjekësore, por edhe çështje e solidaritetit njerëzor dhe shpresës.
“Transplantimi nuk është vetëm një procedurë mjekësore, por është jetë, shpresë dhe mundësi që një njeri, edhe pas vdekjes së tij, të vazhdojë të jetojë përmes jetës së dikujt tjetër”, ka deklaruar Aliu.
Ai ka theksuar se ndryshimet nuk lidhen vetëm me aspektet administrative, por përfaqësojnë një mesazh për mënyrën se si po ndërtohet sistemi shëndetësor.
“Ndryshimet që propozojmë nuk janë vetëm juridike dhe administrative, por janë një mesazh se sistemi ynë shëndetësor po ndërtohet mbi dinjitetin e njeriut, solidaritetin dhe respektimin e vullnetit personal”, ka theksuar ministri.
Përveç mundësisë për deklarim personal, ligji parashikon edhe zgjerimin e rrethit të dhuruesve të gjallë deri në shkallën e katërt të farefisnisë. Çdo rast do t’i nënshtrohet vlerësimit nga një Komision Etik, i cili duhet të konfirmojë se vendimi është vullnetar dhe pa rrezik për keqpërdorim apo tregti me organe.
Ministri Aliu ka bërë të ditur gjithashtu se regjistrimi digjital do t’i mundësojë shtetit të ketë një pasqyrë më të qartë për interesimin e qytetarëve për dhurimin e organeve dhe për nevojën për informim shtesë.
Ai ka paralajmëruar se do të japë edhe shembull personal, duke thënë se sapo sistemi të fillojë të zbatohet, do të jetë ndër të parët që do të regjistrohet si dhurues organesh.
Me miratimin e këtij ligji, dhurimi i organeve në Maqedoninë e Veriut fiton një kornizë më të qartë juridike dhe teknike, ndërsa vendimi përfundimtar mbetet në dorën e vetë qytetarit.



