BE i jep Ukrainës 3.9 miliardë euro për dronë
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka bërë me dije se Bashkimi Evropian (BE) ka ndarë 3.9 miliardë euro për blerjen e teknologjive të avancuara të dronëve për Ukrainën.
“3.9 miliardë euro janë ndarë për blerjen e teknologjive të përparuara të dronëve për të forcuar mbrojtjen e Ukrainës”, ka shkruar von der Leyen në rrjetin social “X”.
Ajo ka vlerësuar se zhvillimi teknologjik dhe aftësia për inovacion e Ukrainës kanë luajtur rol të rëndësishëm në përballimin e luftës.
“Inovacioni ukrainas është në thelb të aftësisë së tij për t’i rezistuar një pushtimi të madh të udhëhequr nga Rusia që nga 24 shkurti i vitit 2022”, ka deklaruar presidentja e Komisionit Evropian.
Ky financim vjen si pjesë e përpjekjeve të BE-së për të rritur kapacitetet mbrojtëse të Ukrainës dhe për ta mbështetur atë me pajisje moderne ushtarake gjatë luftës.



