Gelbardi luajti rol të madh në procesin e legjitimimit të UÇK-së në përmasa ndërkombëtare (2)

02 tetor 2023 | 17:01

INTERVISTË EKSKLUZIVE me Bardhyl Mahmutin: Si u hoq cilësimi i UÇK-së si “organizatë terroriste”? (2)

Politologu Bardhyl Mahmuti, ish-përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në intervistën ekskluzive, në vazhdimin e pjesës së dytë, ka folur për takimin që ka pasur atëkohë me ambasadorin Robert Gelbard dhe për bisedimet që kishin bërë për UÇK-në. Bardhyl Mahmuti ka theksuar se Gelbardi ka luajtur një rol tepër të madh në procesin e legjitimimit të UÇK-së në përmasa ndërkombëtare dhe, pikërisht për këtë arsye, regjimi i Sllobodan Millosheviqit i ndërpreu kontaktet me ambasadorin Robert Gelbard. Në këtë intervistë, ai flet edhe për propagandën serbe që paraqiste vrasjen e pjesëtarëve të aparateve represive si të ishin civilë.

“Epoka e re”: T’i kthehemi edhe një herë takimit me ambasadorin Gelbard. Siç raportuan mediet e asaj kohe, ai e kishte cilësuar UÇK-në “organizatë terroriste” dhe se gjatë vizitës në Prishtinë kishte kërkuar nga forcat politike të Kosovës të distancoheshin prej saj. A diskutuat rreth kësaj çështjeje?
Bardhyl Mahmuti: Ne ishim në dijeni të asaj që kishin transmetuar mediet për qëndrimin e z. Gelbard, por ishim marrë vesh me Ramadan Avdiun që të mos hynim në këtë temë. Ishte ambasadori Gelbard që hapi këtë temë. Fillimisht na tha se deklarata e tij ishte keqinterpretuar nga mediet dhe na siguroi se ai nuk e kishte cilësuar UÇK-në si “organizatë terroriste”, por kishte deklaruar se “UÇK-ja kishte kryer edhe aksione terroriste” dhe kërkoi sqarime për “vrasjen e civilëve nga ana jonë”.

“Epoka e re”: Na falni për ndërhyrjen. A i besuat z. Gelbard se mediet kanë manipuluar me deklaratën e tij?
Bardhyl Mahmuti: Është fakt se ne nuk kemi qenë në takimet e ambasadorit Gelbard në Prishtinë dhe as në kontaktin që ka pasur me gazetarët kur është folur për UÇK-në. Për ne ishte shumë e rëndësishme atë që dëgjonim nga goja e tij. Meqë ra fjala për këtë çështje, do të ndajmë me lexuesin diçka nga bisedat private të asaj kohe. Pasi u bë publike takimi ynë, disa herë më është shtruar pyetja nga miqtë e mi “përse nuk i kam kërkuar z. Gelbard kërkimfalje publike për fyerjet që na i ka bërë”! Një qasje e tillë e marrëdhënieve diplomatike do të na dëmtonte jashtëzakonisht shumë dhe as që na ka shkuar ndërmend një ide e tillë. Një shprehje shumë e bukur popullore, që përdoret në Kosovë, i shkon kësaj situate: Duhet t’ia dish hallin vetit! Ne ishim plotësisht të vetëdijshëm për pozitën tonë reale.

No description available.

“Epoka e re”: Në intervistën ekskluzive që keni dhënë si përfaqësues politik i UÇK-së, që u botua në shtator të vitit 1998 në “Zëri i Kosovës” dhe “Bota e re”, ju i atribuoni z. Gelbard merita në procesin e legjitimimit të UÇK-së në përmasa ndërkombëtare.
Bardhyl Mahmuti: Është tërësisht e vërtetë! Ai ka luajtur një rol tepër të madh në këtë drejtim dhe, pikërisht për këtë arsye, regjimi i Sllobodan Millosheviqit i ndërpreu kontaktet me ambasadorin Robert Gelbard. Fatkeqësisht njerëzit kanë mbajtur në mend gjërat negative për vërtetësinë e të cilave nuk janë të sigurt dhe harrojnë këto merita të mëdha të këtij diplomati amerikan.

“Epoka e re”: Cili ishte sqarimi juaj lidhur me pretendimin e vrasjes së civilëve nga ana e UÇK-së?
Bardhyl Mahmuti: Edhe në këtë takim përsëritëm atë që kishim thënë në konferencat e shumta që kishim mbajtur në Selinë e Kombeve të Bashkuara nga muaji mars i vitit 1998: cak i sulmeve të UÇK-së janë pjesëtarët e aparateve represive serbe (ushtrisë, policisë, shërbimeve sekrete…) qofshin në uniforma, qofshin pa uniforma! Pjesëtarët e aparateve represive pa uniformë nuk mund të konsiderohen si caqe civile, sepse janë pjesë e strukturave shtetërore që ishin bartëse të dhunës kundër shqiptarëve në Kosovë.

“Epoka e re”: Fakti se pas takimeve me përfaqësues të ShBA-së zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Xhems Rubin, hodhi poshtë cilësimin “terrorist” që i vishej UÇK-së, është dëshmi se shpjegimet që keni dhënë kanë qenë bindëse. A keni ndonjë rast konkret të propagandës serbe që paraqiste vrasjen e pjesëtarëve të aparateve represive si të ishin civilë?
Bardhyl Mahmuti: Vrasja e dy serbëve, Ilija Vujošević (Vujosheviq) dhe Dejan Djetlovit, e ilustron shumë mirë këtë propagandë. Më 6 nëntor 1998 mediet serbe njoftuan se në këtë ditë, në orën 11:00, në fshatin Dubravë të komunës së Rahovecit, “në territorin e kontrolluar nga terroristët e UÇK-së ishin zhdukur dy serbë: Ilija Vujošević dhe Dejan Djetlov”, ndërkaq më 9 nëntor publikuan fotografitë e tyre të vrarë! Pas spekulimeve të shumta që i bënë mediet serbe kësaj vrasjeje të shoqëruar me fotografitë e dy serbëve të vrarë, në veshje civile, në botimin e janarit të vitit 1999, në atë të vitit 2000 dhe atë të vitit 2001, Shërbimi Sekret Serb pranoi se fjala ishte për “dy punonjës të Sekretariatit të Punëve të Brendshme të Prishtinës, të cilët ishin vrarë në detyrë ‘humanitare’. Ata kishin qenë duke furnizuar me ushqim njësitë e forcave policore që luftonin me terroristët shqiptarë”. Publikimi disa muaj më vonë, në libra që u shpërndaheshin institucioneve ndërkombëtare dhe medieve kryesore që çonin peshë në krijimin e opinionit publik ndërkombëtar, i të vërtetës se bëhej fjalë për policë të vrarë, nuk e zhbënte efektin e parë që pati shpërndarja e fotos së “personave të vrarë në veshje civile”. Kjo teknikë e propagandës serbe pati efekte shumë të mëdha për krijimin e opinionit se “UÇK-ja vriste civilë”.

No description available.

Policët serbë Ilija Vujošević dhe Dejan Djetlov të vrarë në “veshje civile”. (Foto nga libri: “Terrorist acts of Albanian terrorist groups in Kosovo and Metohija”, f. 559)

“Epoka e re”: Me sa kemi njohuri, teknika e paraqitjes si “civilë” të pjesëtarëve të aparateve represive serbe të vrarë nga UÇK-ja, ka vazhduar edhe pas luftës. Ky aspekt është trajtuar më gjerësisht në veprën tuaj “Mashtrimi i madh”. A ndryshoi diçka rreth kësaj mënyre veprimi pas përmbysjes së Sllobodan Millosheviqit dhe ndërrimit të pushtetit në Beograd?
Bardhyl Mahmuti: Rrëzimi i Sllobodan Millosheviqit nga pushteti politik nuk solli asnjë ndryshim pozitiv në strukturat e aparateve represive. Edhe pas vrasjes së kryeministrit serb Zoran Gjingjiq (12 mars 2003), strukturat mbetën të njëjta. Përveç shefit të Shërbimit Sekret të Serbisë, Radomir Markoviqit, udhëheqësit të Njësisë për Operacione Speciale, Millorad Ulemek-Llegija, dhe zëvendësit të tij, Dushan Mariqiq Gumar, asnjë nga pjesëtarët e Sigurimit Shtetëror nuk u largua nga detyra. Përkundrazi, me anë të transferimeve të kuadrove nga një drejtori në tjetrën, një pjesë e madhe e pjesëtarëve të këtij shërbimi u ngritën në funksione edhe më të larta. Po marr vetëm një shembull për ta ilustruar këtë. Në krye të Seksionit të Parë të Kundërzbulimit të Qendrës Beograd ishte Goran Zhivkoviq (Živković), ndërsa në krye të Seksionit të Dytë ishte Misha Milliçeviq (Miša Milićević). Të dy u arrestuan për vrasjen e kryeministrit serb dhe të dy u liruan në “mungesë provash”! Në vend të ndëshkimit, ata fillimisht u shkarkuan nga detyrat që kishin në kuadër të Shërbimit për Beogradin si Qendër dhe, pak kohë më vonë, u emëruan në funksionet më të larta të Shërbimit Sekret të Serbisë! Kështu, ish-shefi i Seksionit të Dytë të Kundërzbulimit për Beogradin, Miša Milićević, u emërua shef i Agjencisë Informative të Sigurisë (BIA), ndërsa ish-shefi i Seksionit të Parë të Kundërzbulimit të Qendrës Beograd, Goran Zhivkoviq, u bë zëvendësshef i Agjencisë Informative të Sigurisë (BIA).
Janë pikërisht këta njerëz që kishin sajuar dosjen “Viktimat e terrorizmit shqiptar në Kosovë dhe Dukagjin – Personat e vrarë, të rrëmbyer dhe të zhdukur janar 1998-nëntor 2001” (Žrtve albanskog terorizma na Kosovu i Metohiji- Ubijena, oteta i nestala lica, januar 1998 – novembar 2001), që u publikua dhe u shpërnda në emër të Qeverisë së Serbisë, ndërkaq në shtator të vitit 2003 publikuan dosjen kundër pjesëtarëve të UÇK-së “Terrorizmi shqiptar dhe krimi i organizuar në Kosovë dhe Dukagjin” (Albanski terorizam i organizovani kriminal na Kosovu i Metohiji) dhe shpërndanë në institucione të ndryshme ndërkombëtare dhe ato të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë disketat me 27 000 faqe materiale të sajuara për gjoja krimet e UÇK-së.
Në këto materiale të sajuara nga Shërbimi Sekret i Serbisë dhe të shpërndara nga Qeveria e re “demokratike” e Serbisë, një numër i konsiderueshëm i pjesëtarëve të aparateve represive të vrarë nga UÇK-ja, të cilët gjatë kohës së regjimit të Sllobodan Millosheviqit figuronin në listën e policëve të vrarë, prezantohen si “civilë të vrarë, të rrëmbyer ose të zhdukur nga UÇK-ja”.

(Muhamet Mavraj / Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
03.10.2023 Punime të domosdoshme për siguri të sistemit Gjilan 1.…