Gërvalla: Marrëveshja Kosovë-Serbi duhet të zbatohet në tërësi, zbatimi i pjesshëm nuk sjell përparim

28 tetor 2023 | 19:52

Këtë javë në Bruksel, pas takimit me udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe presidentët e kryeministrat e Francës, Gjermanisë dhe Italisë, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti shprehu gadishmërinë të nënshkruajë projektin e ofruar nga diplomatët perëndimorë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërkohë që akuzoi Presidentin serb për mosgatishmëri për të zbatuar marrëveshjen e njohur si plani franko-gjerman.

Në një koment për Zërin e Amerikës, Departamentit i Shtetit tha se procesi i normalizimit i ndërmjetësuar nga BE-ja, është rruga e vetme për të siguruar marrëdhënie paqësore dhe produktive dhe për të realizuar aspiratat e dy vendeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. SHBA përsëriti gjithashtu thirrjen që dy palët të angazhohen seriozisht dhe urgjentisht drejt këtij qëllimi dhe të zbatojnë plotësisht të gjitha angazhimet që dalin nga dialogu.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla Schwartz tha se marrëveshja duhet të zbatohet e gjitha. Në intervistën që kryediplomatja e Kosovës i dha koleges Garentina Kraja të premten , ajo tha se një zbatim i pjesshëm nuk do të sillte përparimin e synuar.

“Nëse marrëveshja e lidhur në Bruksel zbatohet si e tëra, ajo përfshin nenet 7 dhe 10, dhe në kuadër të zbatimit të marrëveshjes, ne jemi të gatshëm të japim kontributin tonë. Marrëveshje ose copëza të marrëveshjes, të cilat Beogradi madje as nuk i pranon, nuk kanë për të sjellë normalizimin e dëshiruar, normalizimin e nevojshëm mes dy shteteve tona dhe prandaj janë të pakuptimta. Marrëveshja zbatohet si e gjitha, përndryshe copëzat e saj nuk do të sjellin progres”, ka theksuar ajo.

Gërvalla ka folur edhe për modelin e ri të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilin e ka pranuar kryeministri Kurti.

“Modeli i ri, i cili na është prezantuar, respekton Kushtetutën e Republikës tonë dhe si institucione të përgjegjshme, minimumi i asaj që kërkojmë me çfarëdo lloj propozimi që na vjen është respektimi i shtetësisë, i sovranitetit, i Kushtetutës së Republikës. Mendoj që ky është detyrim i çdo qeverie të çdo vendi demokratik”, ka thënë ministrja Gërvalla.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha para një tubimi…