Gërvalla në Këshill të Sigurimit: Serbia, kërcënimi më i madh i paqes në rajon

20 prill 2022 | 22:28

Në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka folur për të arriturat e Kosovës dhe sfidat në diplomaci.

Ajo ka thënë se Serbia është destabilizuese në Ballkanin Perëndimor.

Gërvalla ka theksuar se Serbia është kërcënimi më i madh i paqes në rajon, derisa për këtë e ka mbështetjen e Moskës.

“Serbia vazhdon të mbetet satelit i Rusisë. Rajoni ynë për këtë vazhdon të mbetet jostabil”, është shprehur ajo.

“Pavarësia e Kosovës ka lindur nga gjenocidi i kryer nga Serbia. Kosova ka rezistuar një kohë të gjatë, derisa jemi detyruar t’i mbrojmë familjet tona dhe në fund erdhi NATO na shpëtoi. Ky gjenocid ka treguar se drejtësia gjithmonë triumfon”, ka deklaruar ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla.

Ajo ka theksuar se Kosova asnjëherë nuk i harron viktimat e luftës së vitit 1999.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës ka thënë se Kosova ka avancuar në luftimin e krimit dhe korrupsionit dhe ka forcuar më shumë demokracinë.

Gjatë fjalimit të saj, Gërvalla po ashtu foli edhe për sulmet e fundit ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në afërsi të pikëkalimeve kufitare me Serbinë, duke i cilësuar si “terroriste” dhe duke fajësuar Beogradin se po lejon që ato të ndodhin.

“Sulmet po vijnë nga territori i Serbisë dhe ato do të ishin të pamundura nëse [presidenti i Serbisë, Aleksandar]Vuçiq nuk do t’i toleronte ato”, ka theksuar Gërvalla.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tentoi t’i fshehë 60 mijë euro, kapet nga Njësia kufitare…