Gërxhaliu: Fokusi i partive politike nuk është tek rimëkëmbja ekonomike

07 gusht 2020 | 11:30

Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, ka thënë se  Kosova është duke u përballur me probleme të shumta të natyrës ekonomike.

Në këtë kontekst, ai ka thënë për “Epokën e re” se partitë politike nuk janë të interesuara për rimëkëmbjen ekonomike të vendit.

Gërxhaliu ka thënë se gjuha denigruese që është duke u përdorur në seanca plenare të Kuvendit është demotivuese.

“Kosova është duke u përballur me probleme të shumta të natyrës ekonomike dhe sociale, por më së shumti kjo situatë është duke e goditur sektorin privat. Dhe gjuha denigruese që përdoret nëpër seanca është me të vërtetë demotivuese, pasi aty duhet të punohet dhe të na jepet arsye për të shpresuar. Vetë fakti që e kemi një dallueshmëri të lartë të partive politike, na tregon në çfarë niveli jemi. Kam drojën që shumë më shumë po mbrohen interesat e grupeve të caktuara sesa të sektorit privat”, është shprehur Gërxhaliu, duke shtuar se fokusi i partive politike nuk është tek tejkalimi i krizës ekonomike.

“Është e vërtetë që në seancë do të ketë debat, porse nuk pritet diçka produktive, pasi aty ka më shumë ofendime dhe sharje. Fokusi është në mbledhjen e nënshkrimeve për rënie të qeverisë, e jo për rimëkëmbje dhe dalje nga kriza”, ka thënë Gërxhaliu.

(A.Mavraj/ Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kuvendi i Kosovës sot (e premte) pritet ta shqyrtojë Projektligjin…