Gërxhaliu: Marrëveshja me MCC-në, e rëndësisë strategjike, por sfidë tranzicioni energjetik

28 korrik 2022 | 11:47

Në hapësirat e Kongresit Amerikan, dje është nënshkruar marrëveshja ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfaqësuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), në vlerë prej 236.7 milionë dollarë dhe përqendrohet në projekte të energjisë.

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës këtë marrëveshje e kanë vlerësuar të një rëndësie të veçantë, pasi sipas tyre, shënon një bashkëpunim historik mbi qëllime të përbashkëta Kosovë-SHBA në sektorin e energjisë.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se ky është investimi më i madh dhe më inovativ i bërë ndonjëherë në Kosovë në sektorin e energjisë.

Arritjen e kësaj marrëveshje e ka përshëndetur edhe ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu.

“Vizita e delegacionit të Kosovës në SHBA ka rëndësi të pakontestuar strategjike, politike, ekonomike dhe gjeostrategjike. Kjo vizitë dhe arritja e marrëveshjes ka ndodhur në një kohë kur e gjithë bota është në një rirenditje ekonomike. Po e shihni se po krijohen pole të ndryshme dhe sfera gjeostrategjike dhe besoj se Kosova nuk ka alternativë tjetër përveç partneritetit me SHBA-të. Po ashtu po ndodh në kohën kur raportet kanë qenë në nivel jo të dëshiruar. Pra, kjo vizitë është e pakontestuar”, ka thënë Gërxhaliu për “Epokën e re”.

Ai ka theksuar se marrëveshja me MCC-në është vazhdimësi e marrëveshjes së Uashingtonit e nënshkruar në vitin 2020.

Gërxhaliu ka thënë se zbatimi i kësaj marrëveshje do të jetë sfiduese dhe ka theksuar se nuk kemi arsye për eufori.

“Kjo është një marrëveshje e cila nuk është vetëm fitore për Kosovën por edhe për Ballkanin Perëndimor në përgjithësi. Duhet të kuptuar se nënshkrimi i kësaj marrëveshje nuk është zgjidhje e problemeve të grumbulluara nga e kaluara në Kosovë. E them këtë, duke u bazuar në faktin që ky projekt e ka një kosto afër 237 milionë euro. Është e vërtet se partnerët amerikanë do të paguajnë 202 milionë euro në formë të grantit dhe Kosova duhet t’i paguaj 34 milionë euro. Pastaj është aspekti i ratifikimit të kësaj marrëveshje në Kuvendin e Kosovës. Dhe zbatimi i saj do të fillojë së zbatuari pas dy ose tri viteve. Dhe duhet të ketë ndryshim të legjislacionit dhe këto ligje duhet të kalojnë me 2/3 në Kuvendin e Kosovës. Do të jetë një periudhë mjaftë sfiduese. Besoj se nuk kemi arsye për eufori”, është shprehur ai.

Ish-sekretari gjeneral në Forumin Investiv të Odave Ekonomike të Ballkanit Perëndimor në Trieste të Italisë, Safet Gërxhaliu, thotë se Evropa është duke importuar energji elektrike me çmime të larta për këtë vjeshtë dhe për këtë dimër.

“Defenitivisht edhe Gjermania, Franca dhe vendet e tjera janë duke u orientuar në shfrytëzim të thëngjillit. Dhe tash lind pyetja se a do të vazhdohet edhe më tutje që Kosova të jetë vendi më i pasur në Evropë me thëngjill dhe të jetë importuesi i energjisë elektrike. Prandaj, proceset duhet të merren me një seriozitet më të madh. Duhet të ketë strategji dhe alternative A, B, C dhe D. Thënë përfundimisht se marrëveshja me MCC-në ia do të mirën dhe ardhmërinë Kosovës, por brenga duhet të jetë se si do të ecën ky tranzicion i energjisë elektrike që është mjaftë sfidues, kur dihet se edhe ‘Kosova A’ dhe ‘Kosova B’ janë të stërvjetëruara dhe të stërngarkuara. Gjithashtu kam dronë se do të ketë reduktime dhe ngritje të lartë të çmimit të energjisë elektrike, dhe në këtë mënyrë do të goditet qytetari dhe ekonomia e Kosovës”, ka thënë Gërxhaliu.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ukrainasit do të luftojnë për shtetësinë dhe nuk do të…