
Gërxhaliu: Situata e krijuar në Kosovë është anti-ekonomike, po humbin miliona euro
Ekonomisti Safet Gërxhaliu, ka deklaruar se Kosova është në një situatë shqetësuese në aspektin ekonomik, duke thënë se këtë po e shohin vetëm qytetarët.
Gërxhaliu ka thënë për “Tëvë1” se Kosovës i mungon një diplomaci ekonomike. Ai ka shtuar se situata e krijuar tani në Kosovë është anti-ekonomik, ku sipas tij po dëmton imazhin e vendit dhe po humb miliona euro.
Ai ka theksuar 47 dështimet për konstituimin e Kuvendit është dëshmia më e mirë se politikanët janë të varur nga partia politike dhe interesat e tyre partiake. “Ky ngërç politik nuk duhet të analizohet vetëm nga dimensioni ekonomik, por duhet të analizohet në disa dimensione. Është dimensioni gjeostrategjik, integrues, social, ekonomik, por mbi të gjitha është imazhi i Kosovës dhe aspekti psikologjik dhe falë një situate të tillë të krijuar ku Kosova është në sanksione apo në masat e Bashkimit Evropian. Dhe që sa kohë nuk kemi institucione, atëherë vërtet rezultatet nga një ngërç i tillë politik janë mese shqetësuese. Kosova është në një situatë të palakmueshme në aspektin ekonomik. Dëmi që i bëhet Kosovës është më shumë se 1 miliard e 200 milionë euro në aspektin numerik, kurse në aspektin e imazhit e të jetuarit në Kosovë është vërtetë një situatë shqetësuese. Imazhi i Kosovës është në pikën më kritike, mungon një diplomaci aktive qoftë politike apo ekonomike. Sot nga ky ngërç politik e dëshmon se politikanët janë të varur nga partia politike dhe interesat e partive politike dhe ky minimizim i lirisë të mendimit dhe veprimeve na ka sjell në këtë qasje. Ambienti i krijuar në Kosovë është anti-ekonomi, anti-sektor privat dhe definitivisht po e dëmton imazhin e saj”, ka thënë Gërxhaliu.