Gjakova komuna e parë me kontrata të hapura

01 gusht 15:01

Komuna e Gjakovës bëhet komuna e parë me kontrata të hapura dhe të publikuara në faqen zyrtare të komunës.

Këtë vendim e ka marrë Zyra e Prokurimit e kësaj komune me aprovimin e kryetarit të komunës Ardian Gjini.

Hapja e kontratave është bërë si rezultat i bashkëpunimit të Demokraci Plus (D+), Komunës së Gjakovës dhe Projektit të USAID për Komuna Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse, me qëllim të rritjes së transparencës dhe mundësisë së qytetarëve të komunës për të qenë të informuar në lidhje me shpenzimet e komunës.

Për herë të parë kontratat e kësaj komune do të jenë publike si të plota.

Deri më tani janë publikuar vetëm informata të kufizuara përmes njoftimeve të ndryshme.

Qytetarët, mediet dhe shoqëria civile mund t’i qasen kontratave në uebfaqen e komunës. Kjo ka rëndësi të veçantë pasi që të gjitha palët mund të shohin se si komuna ka lidhur kontrata, me çfarë kushte, me cilët operatorë dhe me çmime për njësi veç e veç.

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka thënë se është i kënaqur që komuna që ai drejton është e para që ndërmerr këtë hap, dhe se do të vazhdojë me përkushtim për prokurim të hapur.

Në anën tjetër Valmir Ismaili, drejtor ekzekutiv i D+ ka thënë se shembulli i Komunës së Gjakovës duhet të përcillet edhe nga 37 komunat e tjera dhe nga të gjitha autoritet kontraktuese publike.

Demokraci Plus i bënë thirrje edhe Kuvendit të Kosovës, Qeverisë dhe Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik që të bëjnë të detyrueshme për të gjitha institucionet publike, publikimin e kontratave në platformën e e-Prokurimit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, njëherësh Koordinator Nacional…