GJAKU

30 janar 2022 | 09:10

Albanë Mehmetaj

 Tregimi Gjaku është ndër tregimet më përfaqësuese të Koliqit i cili arrin më së qarti e më së gjati të arti­kulojë njohjen e plotë të jetës së malësisë shkodrane. Njohja e kësaj jete bëhet duke mos u larguar nga imagjinarja, por duke iu afruar reales me personazhe, me ambiente dhe me rrëfim. Këtu autori studion thellë jetën dhe psikologjinë e ambientit malësor, duke e thelluar dhe forcuar elementin më të rëndësishëm të këtyre anëve, siç është ai i gjakmarrjes. Por, rëndësia këtu qëndron në planin kuptimor, do të thotë në mënyrën e vendosjes së konteksteve rrëfimore e rolit të personazheve të cilët ndërto­hen në mbështetje të dramatizimit të idesë së autorit, edhe pse tregimi nis sikur të kishte një kah tjetër, atë të qytetërimit shqiptar e jo të marrjes së gjakut:

A ka send má të mrekullueshëm në këtë botë se me i sjellë qytetnim nji kombi zhytë n’errsín e padijes?[1]

Në fakt, në tri pjesët e para, nga shtatë që i ka teksti gjithsej, e gjithë hapësira tekstore zhvillohet në këtë rrugë, drejt çuarjes së shqiptarëve në rrugën e diturisë, për të dominuar dija e librit, një rrugë e re e qytetërimit, përkundër gjakmarrjes që ishte aktuale në atë kohë.

Heroi letrar i tregimit është Doda, një malësor i këtyre anëve, por që shkollohet në vendet evropiane dhe for­mohet kultura­lisht, si dhe njihet me mendësinë evro­piane të cilën përpiqet ta aplikojë në Shqipëri. Doda punon mësues në një shkollë në Shkodër dhe mendon se për të kultivuar këtë kulturë fillimisht duhet të punojë me fëmijë që ta ndryshojë konceptin e të men­duarit dhe të vepruarit. Doda, me një fjalë, do që prir­jen e gjakmarrjes ta zhdukë nga shpirti i njomë i fëmijëve dhe për këtë ka realizuar një plan përmes një libri të leximit pesë­vëllimesh. Ky libër metodikisht do të nguliste te të rinjtë idealin e vërtetë të jetës shqiptare. Do të thotë, do t’i forconte tri kategoritë kryesore që Koliqi i aktualizon gjithherë: besën, nderin dhe burrërinë si prirje të mira të trashëguara nga të parët, duke çrrë­njosur prirjen e keqe – pushkën, duke e zëvendësuar me libër.

Këtë ide e ngazëllim për punë Doda e shpalos para së dashu­rës, Nushës, e cila e motivon edhe më shumë me dashurinë e saj që t’i përkushtohet punës, rrugës së përndritjes së shqip­tarëve, veçanërisht nxënësve. Dhe në këtë pikë tregimi me përshkrimin e tillë mund të marrë edhe trajtë të një përfun­dimi lumturues, por i gjithë rrëfimi merr kah tjetër vetëm në një moment, duke u kthyer më pastaj në tragjicitet. Tragjici­teti këtu është kategori që rri fshehur, shumë fuqishëm dhe pret të aktivizohet nga njerëzit e vendit edhe atëherë kur nuk pritet. Lajmi për vrasjen e vëllait të tij, Zekës, Dodës ia përmbys krejt këtë vijë fatlume, ia prish krejt ëndrrat e heroit të veprës për t’i modernizuar njerëzit e vendit të tij dhe për ta aktualizuar librin.

Ernest Koliqi temën e gjakmarrjes, si ndër temat e para sociale të shqiptarëve të Malësisë, në këtë tregim provon ta trajtojë në një formë më të ndërliqshme e këtë e ndërlikon pikërisht përmes heroit të veprës, Dodës. Në këtë vështrim ky është ndër tregimet më dramatike të këtij autori, ku jeta me zakonet e saj krijon tragjicitetin dhe zgjidhja në tregim duhet të bëhet më ndryshe se në tregimet e kësaj natyre. Këtë duhet ta zgjidhë Doda, intelektuali që përpiqet t’ua mësojë njerëzve të vet rrugën e qytetërimit, të mësimit e të dijes. Pra, Doda, i cili mision të parë ka zhdukjen e gjakmarrjes, duke e konsi­deruar si fenomenin më të keq shqiptar, duhet ta marrë gjakun e vëllait. Këtu nis atmosfera themelore e tregimit, duke i krijuar autorit mundësinë më të mirë që të studiojë thellë jetën e Malësisë së Shkodrës, të krijojë psikologjinë dhe kara­kteret e tregimit, si dhe të rrëfejë, duke përshkruar ambientin dhe duke artikuluar idetë.

Tërë shtresa tjetër e tregimit e tregon funksionin e zbatimit të detyrës që e përcakton zakoni i gjakmarrjes e që është ai i marrjes së gjakut. E kjo situatë jepet kështu: pothuajse në kulmin e lumturisë dhe përmbu­shjes së Dodës, në kuptimin që ai po e realizonte pro­gramin e tij të arsimimit dhe kulturi­mit te njerëzit e vet, dhe në kohën që po e dashuronte Nushën, kishin plane për martesë dhe po e shihte se dashuria dhe puna bëjnë bashkë (sepse në kohën kur ishte student nuk mendonte për dashuri, duke menduar që kjo e fundit e pengon shkolli­min dhe dijen), i vjen lajmi se vëllanë, Zekën, ia kishin vrarë armiqtë e vjetër, Fetejt. Dhe në këtë pikë prishet dhe përmby­set gjithçka, si planet për përhapjen e dijes, ashtu edhe plani për kurorëzimin e dashurisë. Doda shkon në Malësi pranë familjes, varros vëllanë, sheh pikëllimin, vajin e gjëmën e anë­tarëve të familjes, mërzitet vetë pafund por, mbi të gjitha, shikimi i babit kundrejt tij nuk i hiqet prej kujtesës. Do të thotë, te Doda nis një luftë e brendshme: kujtimi e dhimbja për Zekën e vdekur, pamja e tij dhe mallëngjimi për të, si dhe mënyra se si e vështronte babai në ato ditë të vështira e të zeza për të e familjen.

Në vijim i gjithë teksti ngrihet mbi këtë shikim enig­matik të të atit, të cilin në fillim Doda nuk e kupton e pastaj është kundër atij mendimi tradicional të zhvillimit. Zbulimi i këtij shikimi bëhet në momentin kur Doda, pas pesë ditë qëndrimi në Malësi, i rrethuar nga vaji, dëshpërimi e vështrimi i të atit, vendos të kthehet në Shkodër, aty ku edhe punonte dhe kishte të dashu­rën. Këtu fillon drama shpirtërore e Dodës, kur i ati flet dhe flet egërsisht, duke i thënë që nuk e ka borxh kthimin në Shkodër, por ka një borxh më të madh, pra të marrë gjakun e Zekës. Këtu edhe ndërtohet një pamje e re e tregimit, duke funksionalizuar një pikë tjetër të orientimit, përkundër atij të fillimit, misionit kulturor që kishte Doda.

Koliqi, duke përshkruar karakterin këmbëngulës të babait të Dodës, nuk e lë pa hyrë në brendinë e perso­nazhit, duke e shpallur karakterin e tij përmes një dialogu të shkurtër që ka me Dodën. Në këtë mënyrë atë e bir ndeshën ndërmjet vete, në kontekst të ideve, duke përfaqësuar kështu dy grupe njerëzish e kultu­rash. I pari mendësinë e gjithë Malësisë, ndërsa i dyti duke manifestuar mendësi evropiane. Babai mendonte që Doda duhet ta lë Shkodrën e të rrijë në Malësi për të mbrojtur nderin e shtëpisë e të marrë gjakun e Zekës, përkundër djalit i cili ishte kundër. Një gjë e tillë e kishte detyruar të atin të thoshte se nuk kishte qenë shkolla për ata si familje, duke konsideruar gabim që e kishte lënë Dodën të shkollohej e duke vlerësuar se që nga ai moment ai nuk është më i tij.

Doda, duke bërë përpjekje ta zbusë mërinë e të atit e ta harrojë gjakmarrjen, e fton atë dhe gjithë familjen në Malësi, që të jetojnë jetë normale, por kjo mohohet nga plaku:

 – Mirë, shko: udhambarë të kjoftë. Por… nji amanet due me t’a lánë: në most ë pastë zhburrnue krejt shkolla, mos e lén pa krye at borxh qi ke…[2]

Pas kësaj përgjigjeje, babai i Dodës përsëri mbyllet në vete, duke e lëshuar këtë vështrim enigmatik, që duket se e zhbiron Dodën, duke mos e lënë t’i mbyllë sytë natën e të mos gjejë qetësi shpirtërore. Kështu, pjesa në vazhdim merret me ndikimin e kësaj përgjigjeje dhe këtij shikimi në qenien e Dodës, duke ia ndryshuar krejt kahen e jetës deri në atë pikë, sa jeta e përparme t’i dukej si e huaj, si jetë që e kishte jetuar dikush tjetër e jo ai. Në këtë kontekst, Doda lë librat, zbeh dashurinë për Nushën, duke u përqendruar në kujtimin për trupin e shtrirë e të vdekur të Zekës. Në këtë pjesë të tekstit fillon të artiku­lohet ideja e Koliqit, duke rrëfyer se si fillon të zgjohet në shpirt të Dodës diçka që kishte qenë deri atëherë në funde të errëta të ndërgjegjes.

Por, ky mendim prapë ndryshon kthesë kur Dodës përsëri i kthehet një lloj energjie për libra, për mësime, për shoqëri dhe dashuri, derisa i shfaqet një mik i familjes për t’i kujtuar që gjakun duhet të marrë, që babi i tij dhe e gjithë familja janë në dëshpërim për gjakun që s’po e merr dhe që vrasësit po sillen lirshëm, duke mos e pasur frikën e gjakmarrjes.

Koliqi, duke qenë njohës i shkëlqyer i traditës së malësisë shkodrane, e di mirë që kur vrasësi sillet lirshëm, për familjen e viktimës nuk ka turp e dhimbje më të madhe, më e madhe edhe se vetë vrasja e një anëtari të shtëpisë. Kështu, ekuilibri i qenies së Dodës fillon të prishet përfundimisht. Paradoksi këtu është kur Doda përpiqet të gjejë një zgjidhje ose ngushë­llim nga policia e shteti dhe nga prifti por, pa sukses. Të parët nuk merren seriozisht me këtë punë, duke e lënë si të nënkup­tueshme zgjidhjen e problemit ndërmjet vetë njerëzve. Ndërsa prifti, për çudinë më të madhe të Dodës, ndër të tjera, i thotë që dëshira e shpagimit të gjakut ndër shqiptarë vonë do të hiqet:

– S’dij gjâ un për kët punë, po edhe t’ishte e vërtetë ao ka atenuantet e veta. Gjaku ujë s’bhet, lum zotni loci.Jena shqiptarë e punon influence e rrethir mbi ne.[3]

Kështu, Doda nuk e gjen zgjidhjen as te njeriu që duhet ta kultivojë paqen. Pastaj përsëri vjen malësori që ta bindë Dodën të marrë gjakun, duke e paguar dikë tjetër që ta kryejë vrasjen. Të njëjtin mendim pak a shumë ka edhe nëna e së dashurës së tij, Nushës. Në këtë pikë të jetës, Doda nis të zbresë nga bota e idea­litetit, për t’u kthyer në realitetin e egër të botës së vrasjes – gjakmarrjes. Kështu, edhe teksti i Koliqit ndërron kah nga shkrimi i bukur dhe përshkrues për njeriun e dijshëm me një mision të çmueshëm, në një shkrim veprues drejt një veprimi të lig e vdekjeprurës. Pikësëpari, Doda ndeshet jo me të panjohurën, por me fenomenin që ai deshi ta çrrënjosë që në fillim. Prandaj ai prapë dëshiron t’u shpallë luftë “zakoneve të mbrapshta”. Ajo që nis ta lëkundë karakte­rin e tij është trajtimi që i bëhet si frikacak jo vetëm nga babai, por edhe nga bajraku, prifti e të gjithë. Përkundër habisë, Doda prapë do t’i qëndrojë këtij “ambienti të kalbur” e këtij “ambienti të egër”, siç e quan ai, pava­rësisht ani pse e quajnë frikacak e djalë i lig.

Por, jo kohë të gjatë vazhdoi ky mendim. Dodës nuk i hiqej prej mendjes kujtimi i të atit dhe kujtimi i Zekës së vdekur. Në fund mjaftoi vetëm një shtytje më e vogël e malësorit bashkë­vendës që Doda ta merrte gjakun. Pra, Doda në fund të tre­gimit e vret gjakësin e të vëllait dhe u dorëzohet autoriteteve, që ishte veprim i rrallë në atë anë.

Do të thotë, Doda, si figurë përfaqësuese e idesë së jetës së qytetëruar, i cili orientohet e i vë vetes qëllim që të studiojë me dashuri psiken shqiptare e të gjejë mjetet më të shpejta të qytetërimit, përkundër zakoneve jo të mira, bie pre e tyre. Përpara se të kryejë aktin e fundit, Doda ndodhet para një lufte të brendshme dhe një gjendjeje shumë të vështirë psiko­logjike e cila i kthehet në krizë nervore. Ai ka përpara dy rrugëve: ta vazhdojë kulturën e trashëguar, ta kënaqë familjen duke marrë gjakun, ose ta vazhdojë dashurinë me Nushën, jetën e ëmbël me të, duke e mundur traditën dhe duke e për­mbushur misionin deri në fund.

Qëllimshëm, Koliqi në këtë gjendje të dyzuar e para­qet karakterin e Dodës duke u lëkundur, duke iu akti­vizuar gjenet e të parëve, e kështu duke iu lëkundur themelet e kulturës të vëna në një themel të pasigurt, të brejtura prej rrymave të hovshme të influencave stërgjyshore. Ajo që e lëkund më së shumti është edhe mendimi se Zeka nuk do ta linte pa e marrë gjakun për të, po të ndodhte e kundërta, dhe ky mendim e godet fort Dodën. Sado që përpiqej ta arsyetonte veten, duke i thënë Dodës ëndërrueshëm se edhe ai po t’i lexonte të gjitha librat e tij dhe po të shkollohej nuk do të vepronte ashtu, prapë shihte duar të padukshme që e shpinin drejt errësirës. Në këtë kontekst duhet të përmendet se tregimi Gjaku, sado që është tekst i shkruar për ta shpërfaqur mentalitetin e Malësisë së Shkodrës dhe vetë Shkodrën, është tregim mbi një perso­nazh, për të parë se si reflekton e gjithë kjo në psikologjinë e individit. E për të dhënë efekt sa më të madh estetik, Koliqi ka krijuar personazhin i cili është formuar kulturalisht jashtë atdheut e këtë dije do ta projektojë në atdhe. Ky mision kultu­ror sikur thurë shenjat auto­biografike të vetë Koliqit, duke bërë që lidhjet autor-personazh të jenë në plan të ideve, sido­mos në planin e ruajtjes së autenticitetit shqiptar, traditës së mirë dhe zhdukjes së asaj të keqe. Por, pse krejt në fund Koliqi vendos që personazhi i tij të zgjedhë rrugën të cilën ai vetë e promovon si jo të duhur është efekti që ai do ta krijojë nga vetë hija e maleve, titull që e ka brenda tregimin Gjaku. Kështu Dodës i digjet dëshira që ta zhdukë errësirën që e ka kapluar botën shqiptare, si dhe dëshira që të jetojë jetën e qetë dhe të lumtur pranë të dashurës, larg obligimeve malësore.

Një personazh tjetër që e pëson dënimin është e dashura e Dodës, Nusha. Nëpërmjet saj Doda njihet edhe në rrafshin emocional dhe zhvillohet më shumë në rrafshin profesional. Nusha e dashuronte me gjithë fuqinë Dodën, por në të gjitha pjesët e tekstit, edhe para se të vritej Zeka, edhe pasi vritet Zeka dhe Doda në raste të caktuar dukej si i qetësuar, ajo rrinte e shqetësuar për kurorëzimin e dashurisë së tyre:

Fjala darsëm e bânte me ândërrue. Nji ndiesí e paçamsueme e shynte me dëshirue sa mâ parë at ditë të lume. Donte m’e pasë Dodën afër, pse dronte (s’dinte as ajo pse) qi tue jetue mâ gjatë damas mund të lente ndonji pengim për fatbardhësín e tyre.[4]

Me Dodën, Ernest Koliqi më së pari në prozën e tij fut njeriun shqiptar me formim perëndimor, i cili, duke dashur ta fuqizojë traditën e mirë kombëtare, njëjtë donte ta zhdukte të keqen, e kështu përvëlohet nga dëshira që të bëhet misionar kulturor në atdhe. Gjakmarrjen të cilën në Malësi e kanë traditë, për Dodën është krim, por në fund edhe ai merr gjak (kryen krimin), kur përpara ka kodin e Malësisë, i cili në të kundërtën e njeh të humbur. Kështu, misionari kulturor vret dhe për më tej ndihet i lehtësuar, duke u ndier i çliruar dhe i realizuar në brendësinë e tij, njëjtë sikur bashkëfshatarët e tij.

Doda vret dhe jep porosinë: tragjedia është e të gjithëve; ai humbet për ta ndriçuar errësirën kolektive. Duket paradok­sale, por vrasja që bën Doda është vrasje për idenë që humbet në kulturë e shënjohet me historinë e Dodës. Një vrasje në shenjë të një ‘politike’ të tekstit.[5]

– Kam mujt me ikë… U dorëzova pse due me pasë ndesjkomin për faj qi kam bâ e për me diftue para gjyqit se fajtor mâ të mëdhâj në këtë vrasë, jeni ju, autoritetet![6]

 

[1] Ernest Koliqi, Tregtar flamujsh, Faik Konica, Prishtinë, 2003, f. 18

[2] Ernest Koliqi, Vepra 1, Faik Konica, Prishtinë, 2003, f. 32

[3] Po aty f. 39

[4] Ernest Koliqi, Tregtar flamujsh, Faik Konica, Prishtinë, 2003, f. 26

[5] Kujtim Shala, Ernest Koliqi : authentica et urbana, Buzuku, Prishtinë, f. 67

[6] Ernest Koliqi, Tregtar flamujsh, Faik Konica, Prishtinë, 2003, f. 54

 

Marrë nga numri i 13-të i revistës “Akademia”

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjencia amerikan e lajmeve, “Associated Press”(AP), ka shkruar një artikull…