“Gjasa të pakta” për Qeverinë Konjufca

05 nëntor 2025 | 18:09

Gjasat që Glauk Konjufca, mandatar për kryeministër i emëruar nga presidentja Vjosa Osmani, të formojë Qeverinë e re të Kosovës, duken minimale.

Me ish-opozitën e bashkuar rreth idesë për zgjedhje të reja, përpjekja e dytë e Lëvizjes Vetëvendosje për të krijuar ekzekutivin, rrezikon të përfundojë në të njëjtin bllokim politik, thonë analistët.

Partitë ish-opozitare – Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate – e kanë bërë të qartë se nuk do ta mbështesin një qeveri të udhëhequr nga Konjufca.

Qëndrimi i tyre u shpall publikisht edhe para se presidentja Osmani ta mandatonte zyrtarisht atë më 4 nëntor.

Radio Evropa e Lirë bëri përpjekje t’i kontaktonte përfaqësuesit e të gjitha partive një ditë më vonë, për t’i pyetur për hapat që do t’i ndjekin, por pa sukses.

Kërkesës për intervistë nuk iu përgjigj as Konjufca.

“Qëndrimi i ish-opozitës është betonuar”

Sipas profesorit Rrahman Paçarizi, nga Departamenti i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, vendimi i partive ish-opozitare për të mos mbështetur një qeveri të udhëhequr nga Vetëvendosja “është i betonuar” prej kohësh.

Ai shton se nuk pret që Konjufca të sigurojë mbështetjen e asnjë partie tjetër, veçanërisht pasi përbërja e propozuar e kabinetit mbetet e njëjtë me atë që mandatari i parë për kryeministër, Albin Kurti, ka dorëzuar në përpjekjen e tij të dështuar, më 26 tetor.

Megjithatë, nuk e përjashton mundësinë që ndonjë deputet individual nga ish-opozita të vendosë ta votojë Qeverinë e Konjufcës.

“Ai ka pasur qasje pak më ndryshe nga zoti Kurti në raport me opozitën. Ka qenë më pak polarizues”, thotë Paçarizi.

Ai përmend edhe një tjetër mundësi që po qarkullon në qarqet politike, se “Osmani mund ta shfrytëzojë këtë periudhë për t’u tërhequr nga posti i presidentes, për t’u përfshirë në garën politike, duke sakrifikuar vetëm një muaj të mandatit të saj”.

Në vitin 2021, Kurti dhe Osmani garuan në zgjedhje parlamentare me një listë të vetme zgjedhore dhe fituan bindshëm.

Sipas Paçarizit, kjo lëvizje do të kishte pasoja politike të ndjeshme, ndërsa “të gjitha partitë – nga Vetëvendosje tek ish-blloku opozitar – do të përpiqeshin të përfitonin nga këto lojëra taktike me afatet kushtetuese”.

Një cikël i ri bllokadash?

Skenari më i mundshëm, sipas analistëve, është përsëritja e ngërçit politik.

Arifi nuk beson se zgjedhjet e reja eventuale do të përmirësonin marrëdhëniet ndërmjet partive politike në Kosovë.

Përkundrazi, ai paralajmëron se vendi mund të përballet me një cikël të ri të bllokadave institucionale.

“Nuk shoh asnjë gatishmëri nga partitë e tjera për të bashkëpunuar me Vetëvendosjen, sepse si partner politik është jashtëzakonisht i papërshtatshëm”, thotë Arifi.

Sipas tij, kultura e bashkëpunimit ndërpartiak, e cila ishte zhvilluar gjatë dekadës së kaluar, është “shkatërruar plotësisht” pas ardhjes në pushtet të Lëvizjes Vetëvendosje.

Paçarizi paralajmëron, gjithashtu, se polarizimet politike mund të vazhdojnë edhe pas zgjedhjeve të reja.

“Ka shumë mundësi që të vazhdojnë, në rast se nuk do të ketë ndryshim konstelacioni të partive politike që do të përfaqësohen në Kuvendin e Kosovës”, thotë ai.

Sipas Paçarizit, skena politike është tashmë e dominuar nga rrëfimi i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili ka paralajmëruar dy palë zgjedhje brenda pak muajsh – në dimër dhe më pas në pranverë, kur përfundon edhe mandati i presidentes Osmani.

Partitë tashmë po e ndjekin këtë narrativ, sipas Paçarizit, i cili vetëm se thellon krizën dhe vonon zgjidhjen e saj.

Kosova është me Qeveri në detyrë që nga muaji mars, ndërsa procesi i konstituimit të Kuvendit është zvarritur për rreth gjashtë muaj, duke përfunduar disa herë në Gjykatën Kushtetuese.

Bashkimi Evropian ka shfaqur shpresën që vendi ta formojë sa më shpejt një qeveri funksionale, në mënyrë që të nisë zbatimin e rekomandimeve të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian, i cili ka vlerësuar se Kosova ka shënuar përparim të kufizuar, për shkak të bllokadës politike.

Nga Kuvendi i Kosovës i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se deri pasditen e 5 nëntorit, nuk ka pasur ndonjë lëvizje për organizimin e seancës për votimin e Qeverisë së re./Radio Evropa e Lirë

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ndërmarrja “NewCo Ferronikeli Complex”, ka nxjerrë vendim për largimin nga…