Gjashtë kërkesat e Serbisë për Kosovën i bënë publike kryeparlamentari i Malit të Zi, Andrija Mandiq
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet që të premten (13 shtator) t’i prezantojë ato që i ka quajtur kërkesa të Serbisë “për shkak të sulmeve substanciale dhe brutale ndaj popullsisë serbe në veri të Kosovës”.
Në një deklaratë të martën, ai u shpreh se në 72 orët e ardhshme do t’i adresohet publikut për “ato që bashkësia ndërkombëtare nuk i ka përmbushur”.
Përderisa në Serbi ka pasur raportime në disa tabloide se një nga opsionet mund të jetë që Vuçiqi të premten të shpallë okupimin e Kosovës, kërkesat i ka bërë publike kryeparlamentari i Malit të Zi, Andrija Mandiq, pas një takimi me ambasadorin e Serbisë në Podgoricë, Nebojsha Rodiq.
Sipas një njoftimi të Mandiqit në X (ish-Twitter), Serbia kërkon që të ketë “zgjedhje të lira” të organizuara sa më shpejt që të jetë e mundur në veri të Kosovës.
Kërkesa tjera janë që 700 policë serbë që ishin tërhequr nga institucionet e Kosovës, të rikthehen menjëherë në vendet e tyre të punës. Po ashtu është kërkuar që edhe zyrtarët serbë të sistemit të drejtësisë të kthehen në vende pune “për ta zgjidhur problemin në fushën e drejtësisë”.
Po ashtu Beogradi ka kërkuar edhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe si dhe lirimin e të gjithë serbëve “të arrestuar për motive politike”.
Kërkesa e gjashtë e Serbisë ka qenë që të zgjidhet çështja e bllokimit të pjesshëm të importeve nga Serbia.