
Gjatë vitit 2019, 234 persona u shpallën të zhdukur në Kosovë
Në bazë të statistikave të Policisë se Kosovës nga janari e deri në fund të muajit nëntor të vitit të kaluar janë raportuar gjithsej 234 raste të personave të zhdukur.
Njohësi i çështjeve të sigurisë në Kosovë, Avni Islami ka thotë për “KosovaPress” se kjo dukuri nuk e ka prekur vetëm Kosovën.
Sipas tij ky fenomen nuk duhet të jetë shqetësues vetëm për organet e sigurisë në Kosovë por edhe për gjithë shoqërinë kosovare. “Seriozisht ky fenomen pra i zhdukjes së të rinjve por edhe moshave të tjera është paksa shqetësues kur në mediat tona dëgjohet se është zhdukur një vajzë apo djalë apo moshave të ndryshme dhe në të shumtën e rasteve kemi parë që kanë ndodhur kidnapime për shkaqe të ndryshme dhe kësisoj në pamjen e parë duket se Kosova nuk është vend i sigurt, duke pas parasysh se jo menjëherë gjenden ata persona. Mendoj se Kosova është vend i sigurt dhe nuk ka vend për panik, por duke e pasur parasysh se gjendja e rëndë sociale dhe ekonomike e ka bërë të vetën dhe ka raste kur kryejnë vetëvrasje dhe pastaj gjinden në një kohë shumë më të vonshme. Duhet të shtohen kontrollet në përgjithësi të kemi të vendosura nëpër objektet vitale dhe në rrugët kryesore kamerat e sigurisë dhe në një mënyrë kësaj do i ndihmonte dhe shoqëria civile në mënyrë që mos të ndodhin rastet e tilla”, ka deklaruar Islami.
Fenomenin e personave të zhdukur e shpjeguar edhe sociologu, Fadil Maloku.
“Në këto dy dekada të pasluftës jemi duke jetuar në ambient krejt tjetër fare, në një ambient të ri të vlerave, dhe si pasojë e këtyre vlerave të reja që kanë ardhur me ndërrimin e sistemit dhe me krijimin e disa para dispozitave, pra një model i ri i sjelljes politik, ekonomik, social kanë ardhur edhe këto vlera të cilat në botën perëndimore padyshim që sanksionohen dhe janë shumë problematike. Në shoqërinë tonë duhet të krijojmë mekanizma të cilët i kontrollojnë dhe menaxhojnë këto fenomene dhe dukuri të cilat më shumë duhet të ishin nën përkujdesje të institucioneve shtetërore”, ka deklaruar ai.