Gjendet një bombë e pashpërthyer e luftës në oborrin e një shtëpie në Shishman të Gjakovës
Një mjet shpërthyes i mbetur nga lufta e fundit në Kosovë është gjetur sot në oborrin e një shtëpie në fshatin Shishman i Bokës, në komunën e Gjakovës, duke shkaktuar shqetësim dhe frikë te banorët. Lajmin e ka bërë të ditur një anëtar i familjes, Jahja Rrustemi, i cili përmes një deklarate ka përshkruar momentin si të rëndë dhe tronditës për familjen.
“Sot përjetuam një moment të rëndë në oborrin e shtëpisë sonë. Në tokën ku jetojmë çdo ditë, u gjet një bombë e mbetur nga lufta e vitit 1999. Është një ndjenjë e frikshme kur mendon se për vite me radhë kemi jetuar pranë një rreziku të tillë pa e ditur,” ka thënë ai. Sipas tij, ky rast rikthen në vëmendje faktin se pasojat e luftës ende vazhdojnë të jenë të pranishme dhe përbëjnë rrezik për qytetarët. Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitë përkatëse, ndërsa falë reagimit të shpejtë dhe profesional të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, mjeti shpërthyes është larguar me sukses dhe situata është vënë nën kontroll. Familja ka shprehur mirënjohje për institucionet, ndërsa ka bërë apel për kujdes të shtuar dhe njoftim të menjëhershëm të autoriteteve në raste të ngjashme.



