Gjendje alarmante – punëtorët e RTK-së rrezikojnë të mbesin pa paga

26 maj 2026 | 12:13

Sindikata e Pavarur e RTK-së dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës shprehin shqetësimin e thellë dhe alarmin serioz lidhur me gjendjen e rëndë financiare në të cilën është futur Radiotelevizioni i Kosovës, pas ekzekutimit të mbi 1 milion eurove përmes procedurave përmbarimore në rastin e emisionit “Milioneri”.

“Ky zhvillim e ka vendosur transmetuesin publik në një situatë jashtëzakonisht të rëndë financiare, duke rrezikuar drejtpërdrejt funksionimin normal të institucionit, mbi të gjitha, sigurinë ekonomike të rreth 680 punëtorëve dhe familjeve të tyre”.

“Shqetësimi ynë është thelluar edhe më shumë pas mbledhjes së Bordit të RTK-së të mbajtur mbrëmë, më 25.05.2026, ku ushtruesja e detyrës së Drejtoreshës së RTK-së, Zana Spahiu, ka bërë të ditur se institucioni tashmë i është drejtuar Ministrisë së Financave me kërkesa urgjente për tejkalimin e situatës së krijuar”, thuhet në reagimin e Sindikatës së Pavarur të RTK-së dhe Shoqatës Sindikale të Radio Kosovës.

“Sipas njoftimit të dhënë në mbledhje, fillimisht është paraqitur kërkesë për mbështetje financiare, ndërsa më pas edhe kërkesë për huadhënie në vlerë prej 1.4 milion euro për mbulimin e pagave dhe shpenzimeve të tjera operative”.

“Punëtorët e RTK-së nuk mund dhe nuk duhet të mbajnë barrën e vendimeve të gabuara menaxheriale, të pasojave të proceseve gjyqësore apo të problemeve të akumuluara institucionale. Pagat, të drejtat e punës dhe siguria sociale e punëtorëve nuk guxojnë të trajtohen si kategori e negociueshme”.

“Kërkojmë nga Bordi i RTK-së, menaxhmenti dhe institucionet përgjegjëse shtetërore që pa vonesë të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të garantuar vazhdimësinë financiare të transmetuesit publik dhe të japin garanci të qarta se pagat e punëtorëve nuk do të rrezikohen në asnjë rrethanë”, thuhet në reagimin e këtyre dy sindikatave.

“Po ashtu kërkojmë transparencë të plotë ndaj punëtorëve për çdo masë emergjente që do të ndërmerret, për efektet e saj dhe për afatet konkrete të stabilizimit financiar”.

“Është e papranueshme që një institucion publik me rëndësi strategjike për informimin e publikut të arrijë në një pikë ku vihet në pikëpyetje pagesa e pagave dhe funksionimi i përditshëm”.

“Sindikata e Pavarur e RTK-së dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës do të monitorojnë nga afër çdo zhvillim dhe do të përdorin të gjitha mjetet sindikale dhe institucionale në mbrojtje të të drejtave të punëtorëve, vendeve të punës dhe dinjitetit profesional. Punëtorët janë themeli i funksionimit të RTK-së”, thuhet në fund të reagimit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka pritur në një takim…