Sami Lushtaku pret kampionin e ri të notit, Bledion Meha: 7 medalje në gara ndërkombëtare
Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka pritur në një takim talentin e ri të notit, Bledion Meha nga Klubi i Notit “Dielli”, duke vlerësuar sukseset e tij në arenën ndërkombëtare.
Bledion Meha është vlerësuar për rezultatet e arritura në garat ndërkombëtare të notit, ku ka fituar gjithsej 7 medalje: 4 në garat e zhvilluara në Dubrovnik të Kroacisë dhe 3 të tjera në Maqedoninë e Veriut.
Në këtë takim, Lushtaku ka theksuar se këto suksese janë dëshmi e punës, disiplinës dhe talentit të jashtëzakonshëm të sportistëve të rinj, duke shtuar se ata janë ambasadorët më të mirë të Skenderajt dhe Kosovës.
Postimi i plotë i Lushtakut:
Me kënaqësi prita sot talentin e ri të sportit tonë, Bledion Mehën nga Klubi i Notit “Dielli”, i cili po e përfaqëson me dinjitet vendin tonë në arenën ndërkombëtare.
Në garat ndërkombëtare të notit në Dubrovnik të Kroacisë, Bledioni ka arritur të fitojë 4 medalje, ndërsa në Maqedoninë e Veriut edhe 3 medalje të tjera, duke dëshmuar punë, disiplinë dhe talent të jashtëzakonshëm.
Këto suksese janë krenari për Skenderajn dhe dëshmi se rinia jonë ka potencial të madh për të shkëlqyer kudo që garon. Sportistët tanë të rinj meritojnë mbështetje të vazhdueshme, sepse ata janë ambasadorët më të mirë të qytetit dhe shtetit tonë.
Urime Bledionit, familjes së tij dhe trajnerëve për këto arritje të jashtëzakonshme.
Suksese edhe më të mëdha në të ardhmen!
SL



