Gjenerali Hisen Berisha nuk kandidon për deputet në zgjedhjet e 7 qershorit
Gjenerali Hisen Berisha ka bërë me dije se nuk do të garojë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.
Përmes një postimi në ‘Facebook’, Berisha tha se arsyet parimore të moskandidimit ia ka bërë të ditura kryetarit të partisë, pa dhënë më shumë detaje.
Ai theksoi se vazhdon ta mbështesë frymën demokratike, vlerat konservatore dhe parimet e lirisë mbi të cilat, sipas tij, është ngritur Partia Demokratike e Kosovës.
Në reagimin e tij, Berisha përmendi edhe liderët historikë të PDK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, për të cilët tha se kanë rrugëtuar bashkë me historinë e shtetit të Kosovës.
Megjithatë, ai kritikoi strukturat që, sipas tij, “nuk arrijnë t’i mbrojnë vlerat e shtetit”, duke shtuar se “duhet të presim për ditë më të mira”.
“Zoti para ne mbrapa, fitorja është e jona!”, përfundoi Berisha në postimin e tij.



