PËRSE U SHTY VENDIMI I GJYKATËS SPECIALE?!!!

13 maj 2026 | 20:14

Shkruan: Bedri Islami

Normalisht, pas pak ditëve, nga Gjykata Speciale e Kosovës, e njohur si Dhomat e Specializuara, do të bëhej i njohur vendimi përkatës në çështjen e tej zgjatur ndaj disa nga drejtuesit kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pas rreth 6 viteve nga arrestimi i tyre. Një praktikë e pazakontë, më shumë e çuditshme nga përmasat që mori dhe rrjedhat që ndryshuan, që nga shkaku themelor i ngritjes së kësaj trupe dhe deri tek formulimi i aktakuzës, për të shkuar më tej, në absurdin e dënimit që kërkoi Prokuroria e Specializuar.
Çuditërisht, edhe pse kishin pasur një kohë plotësisht të mjaftueshme, jo vetëm në tre muajt e fundit pas përfundimit të gjyqit, por gjatë gjithë zhvillimit të tij , e, edhe më heret, gjyqtarët vendosën të bëjnë fillimisht edhe një shtyerje dy mujore, deri më 20 korrik, duke lënë edhe një hapësirë tjetër të mundshme për një shtyerje tjetër.
Vendimi i gjykatës ishte i çuditshëm, por, për njohësit e mirë të zhvillimeve në Kosovë, sidomos pas kalimit në zgjedhjet e reja politike, të tretat në harkun kohor të disa muajve, nuk ishin të papritura. Ishin disa shkaqe, secili prej tyre nuk kishte asnjë lidhje me arsyetimin e çalë që solli Gjykata Speciale, dhe që, në fund të fundit ishin vazhdë e asaj që po ndodh në gjashtë vitet e fundit.
Përse u shty vendimi i kaq pritur?
Shkaku themelor ishte politik. Një proçes që nisi mbi baza politike, duhej të kishte edhe një vazhdim të tillë. Nyja kryesore, mbi të cilën ishte ngritur e gjithë kjo strukturë juridike kishte rënë që në krye të herës, trafikimi i organeve, një tezë që, pasi u hodh mjeshtërisht nga institucionet serbo – ruse, zuri vend në Parlamentin Evropian, në institucionet e larta të BE, e për fat të keq, për shkaqe, po ashtu, thellësisht politike, zuri vend edhe në diskursin politik të opozitës së asaj kohe në Kosovë, në Lëvizjen Vetëvendosja dhe në opozitën në Shqipëri.

Rënia e kësaj nyje nuk e trandi Prokurorinë e Specializuar. Në mesin e tyre kishte njerëz të njohur që kishin deklaruar haptas në raste të ngjashme se, “ duhen dënuar liderët e UÇK-së, qoftë edhe politikisht, përndryshe kariera jonë merr fund”, ashtu si kishin përballë vendime të njësuara të një Gykate më të lartë se ajo, si ishte Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, e cila, për të njëjtat akuza, në dy raste themeltare, të njohura si rasti Limaj, e më pas rasti Haradinaj, kishte dhënë pafajësi të plotë.
Përse shkaku themeltar është politik? Menjëherë, sapo u bë e qartë se Kosova do të shkonte në zgjedhje të reja politike, në shumë tribuna parlamentare të shteteve evropiane u shpreh shqetësimi se dhënia e vendimit do të kishte rrjedhime politike.
Ishin dhe vazhdojnë të jenë dy mundësi para gjykatës: dhënia e pafajsisë, çka do të ishte e njëllojtë me atë që kishte dhënë një institucion më i lartë, ose dhënia e një vendimi, dënimin e tyre, vendim i cili me siguri do të kalonte në shkallë të tjera të Dhomave të Specializuara.
Në rastin më të keq, pra, dhënia e një dënimi, qoftë edhe minimalist, do të ndryshonte skakierën politike në Kosovë. Do të bëhej e qartë, edhe për të përgjumurit, se tani nuk është fjala thjeshtë për katër nga liderët e UÇK-së, por për vetë fatin e Kosovës. Do të kthjelloheshin gjërat dhe, nëse një masë e ndjeshme e votuesve në Kosovë kishte besuar në qeverisjen e tanishme, detyrimin e saj për të mbështetur vizionin e luftës çlirimtare, gjërat do të ishin ndryshe. Aq më tepër, kur, disa ditë më parë, njëri nga deputetët influentë të Lëvizjes VV, gjithë pasion kishte shprehur dëshirën e tij, në sallën Kuvendit, që Thaçi dhe bashkëluftëtarët të merrnin në Hagë dënim me burgim të përjetshëm.

Dënimi, qoftë edhe me vitet e paraburgimit, i kësaj pjese të Trupës Drejtuese të UÇK-së, sido që është bërë përpjekje e pazakontë për të ndarë fatin e tyre nga ai i luftës, në fakt do të ishte dënimi i vetë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pavarësisë së saj, ndërtimit të shtetit dhe ndërlidhjeve me forcat themelore të Perëndimit. Jo rastësisht, disa herë, në Pretencën e tyre shumë kapitujsh, Prokuroria e Specializuar, bëri kujdes që të vinte si pa dashje një lidhje mes akuzës dhe vetë UÇK-së. Me dënimin e tyre do të binte përfundimisht alibia se problemi qëndron te katër drejtues e jo te vetë lufta. Kjo do të sillte pasoja të rëndësishme në jetën politike të Kosovës.
Në rastin më të mirë, shpallja e pafajësisë, raportet politike në Kosovë do të përmbyseshin. Roli i Thaçit, Veselit apo Krasniqit në politikën e Kosovës ka qenë për shumë kohë determinues dhe riafirmimi i pafajsisë së tyre do të ishte përmbysje e shumë gjërave, që deri tani ishin zhvilluar në mjegullën e politikës.
Gjykata e Specializuar, ashtu si edhe prokuroria e Specializuar, që në krye të herës kanë pasur këtë mendësi, paracaktimit të fajtorëve, sidomos nëse këto nuk u kanë shërbyer me deponimet e tyre. Vetë koha kur prokurori Jak Smith bëri publike kërkesën për arrestimin e zotit Thaçi, ndërsa ende nuk ishte ngritur asnjë akuzë ndaj tij, kishte motiv politik të theksuar.
Për shumë kohë, Thaçi dhe elita drejtuese e UÇK-së, që ndodhet sot në Hagë, kanë qenë përcaktues të zhvillimeve politike, e për më tepër, kanë ndërtuar frymën e bashkëpunimit real mes forcave politike, zgjidhjen e krizave dhe sendërtimin e qeverisjes së gjërë.
Nëse Thaçi; Veseli, Krasniqi dhe Selimi do të ktheheshin në Kosovë para zgjedhjeve politike të 7 qershorit gjithë godina e krimit të sipozuar gjatë luftës e pas saj do të kishte rënë njëherësh, e bashkë me të edhe furia politike që ka ngritur qeverisja e tanishme në diskursin politik kundër tyre.
Shkaku i dytë i shtyerjes së vendimit ka të bëjë me faktet e lidhura me të vërtetën dhe ligjshmërinë.
Asnjë proçes gjyqësor nuk ka qenë deri tani kaq i mjegullt, i fshehtë, i mbuluar. Në praktikën e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, edhe në rastet ekstreme, kur janë gjykyuar kriminelë të mirëfilltë, që kanë drejtuar struktura të mëdha të armatosura, dhe të njohur për krimet e tyre, thuajse gjithçka ka qenë e hapur. Seancat janë ndjekur, janë bërë të njohura, krimi është shfaqur.
Në rastin e tanishëm, edhe pse ishte një strukturë thellësisht e njëanshme, përsëri seancat ishin të mbyllura, dëshmitë ishin të zgjedhiura dhe të parapërgaitura jashtë Kosovës, trysnia e hetimit kishte qenë e madhe, seleksionimi i materialeve kishte qenë i dyshimtë.
Në një proçes që zgjati kaq shumë vite, gjykata kishte qenë pjesë e rëndësishme, e mirënjohur me faktet dhe fillimisht, koha e kërkuar prej tre muajve për dhënien e vendimit ishte dukur mjaftueshëm e duhur.
Koha e dhënë gjykatës ka qenë më se e mjaftueshme. Por faktet për të dënuar nuk janë të mjaftueshëm. Prokuroria Speciale, edhe pas mbylljes së gjykimit, përmes një praktike të padefinuar, paraqiti pranë gjykatës “prova dhe fakte” të reja, për të cilat nuk ishte diskutuar në seancat gjyqësore dhe për të cilat askush nuk kishte dijeni.
Burime të sigurta kanë sjellë të dhëna, të pranuara më pas edhe nga vetë shërbimi special i Serbisë, se këto dosje të reja, prej qindra fletëve, janë të siguruara pikërisht nga ai shërbim. Prokuroria Speciale, në asnjë rast nuk e ka demantuar këtë fakt, shpesh herë edhe e ka mbështetur.
Para trupës gjykuese  prej viteve kanë qenë të njohura materialet që edhe sot qëndrojnë para tyre. Nuk ka pasur asnjë të panjohur. Ndërhyrjet gjatë proçesit, që kanë bërë pjesëtarët e trupës gjykuese, të cilat në shumë raste ngjanin si të ardhura nga prokuroria apo në mbështetje të saj, çka u demantuan nga avokatët mbrojtës, dëshmojnë se njohja e tyre ka qenë e plotë, vazhdon të jetë e plotë, deri në imtësi.
Megjithëse akuza përgatiti më shumë se 300 dëshmitarë, shumica e të cilëve nuk ishin shqiptarë të Kosovës, por kishte edhe mjaft prej tyre, që nga hajdutë drush, që ishin trajtuar si të tllë, deri drejtues të formacioneve ushtarake e paraushtarake serbe, të njohur për krime lufte, përsëri asnjë nga faktet që solli nuk inkriminoi të akuzuarit. Seleksionimi i fakteve, sidomos mënjanimi i akteve shfajsues, apo i dëshmive nga autoritete të njohura ndërkombëtare, përsëri nuk arritën të zhbëjnë të vërtetën e luftës, që ishte e domosdoshme, jetike, e vetmja rrugë e duhur, pasi ishin mbyllur të gjithë rrugët e tjera.
Pothuajse të gjithë në trupën gjykuese në Dhomat e Specializuara janë të njohur me ngjarjet në Kosovë, luftën dhe pasojat e saj. Disa prej tyre kanë qenë në UNMIK apo EULEX. Kanë gjykuar apo hetuar ngjarje që lidhen me luftën. Ashtu si ka pasur raste ë hidhura, të palejueshme, kur prokurorë specialë të institucioneve perëndimore në Kosovë, si kryeprokurori për çështjet e luftës, Salustro, i cili, pasi mbaroi kohën e tij në Kosovë, shkoi dhe u bë zëvendës i prokurorit të përgjithshëm serb për hetimin e “krimeve” në Kosovë.
Ka qenë e dhimbshme, që, pasi po bëhen 6 vite në paraburgim, i cili filloi rreth dy e më shumë vite para se të ngrihet aktakuza, gjykata ka qenë ekstreme në qëndrimin e ashpër ndaj të akuzuarëve. Dhe jo e tillë në pyetjet ndaj dëshmitarëve, edhe kur ata e dinin mirëfilli se dëshmitë ishin të sajuara.
Në Kosovë është pritur me padurim hetimi i vrasjeve të pasluftës. Të figurave të njohura nga lëvizja pacifiste, por edhe më shumë nga krahu i luftës. Për fat të keq në gjyq nuk u soll asnjë provë, nuk u bë asnjë tentim për zabrdhjen e saj. Si duket, urdhër dhënësit, që kishin përgatitur dosjet jashtë Kosovës, nuk mund të sajonin dosje të tjera, ose, megjithë përpjekjet e tyre dhe të ndonjë ndihmës hetuesi shqiptar, si Fadil Sulejviqi, ata dështuan. Sepse nuk mund të ngrinin padi kundër vetvetes.
Vonsa në dënien e drejtësisë, kthimi në liri i një pjese të trupës drejtuese të UÇKS-së, nuk i zgjidh problemet në Kosovë, pëkundrazi i rrit ato, shton etjen për pushtet të pakufizuar, dhunën çolitike, aritminë në ndërtimin e shtetit dhe lënien e fajësisë në terrin informativ.
Është koha e fundit për të dëshmuar të vërtetën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti nga Lugina e Preshevës në Kuvendin e Serbisë, Shaip…