Propozohet rezolutë në Kuvendin e Serbisë për dënimin e krimeve serbe në Kosovë
Deputeti nga Lugina e Preshevës në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi së bashku deputetët e SDA Sandzak, Ahmedin Shkrijel dhe Minela Kalender kanë propozuar rezolutë për dënimin e krimeve të kryera në Kosovë, gjatë viteve 1998-1999.
Sipas Kamberit, kjo rezolutë paraqet një thirrje për ballafaqim me të kaluarën dhe për pranimin e fakteve të vërtetuara nga Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë.
“Po ashtu, ajo rikujton masakrat në Reçak, Mejë, Krushë të Madhe, Krushë të Vogël, Suharekë, Izbicë, Podujevë dhe shumë vende të tjera, si dhe ekzistimin e varrezave masive në Batajnicë, Petrovo Selo, Perućac dhe Kiževak. Në këtë dokument kërkohet hapja e arkivave shtetërore dhe ushtarake, vazhdimi i hetimeve për personat e zhdukur dhe garantimi i së drejtës për të vërtetën dhe drejtësinë për familjet e viktimave.”, ka shkruar Kamberi.
Ai ka thënë se rezoluta dënon gjithashtu mohimin e krimeve të luftës dhe glorifikimin e kriminelëve të dënuar.
“Pranimi i së vërtetës dhe respektimi i viktimave nuk është dënim për qytetarët e Serbisë, por distancim nga politikat dhe strukturat përgjegjëse për krimet e kryera. Vetëm përmes pranimit të fakteve, drejtësisë dhe përgjegjësisë mund të ndërtohen paqja e qëndrueshme, besimi dhe pajtimi ndërmjet popujve në rajon. Ballafaqimi me të kaluarën mbetet obligim moral, juridik dhe qytetërues për çdo shoqëri demokratike”, ka shkruar ai.



