Gjenocidi, krimi që duhet të ndriçohet, njihet dhe ndëshkohet

05 korrik 2019 | 08:11

Më 30 qershor 2019, në Bern të Zvicrës, është themeluar Qendra “Gjenocidi në Kosovë, plagë e hapur”. Objektiv kryesor i themeluesve është thënë të jetë shndërrimi i kësaj qendre në një rrjet të organizuar intelektualësh dhe veprimtarësh, profesionistë të profileve të ndryshme, që angazhohen vullnetarisht për ndriçimin e plotë të gjenocidit serb në Kosovë, informimin e drejtë të opinionit dhe këmbëngulin për domosdoshmërinë e ngadhënjimit të drejtësisë dënimin meritor të planifikuesit, urdhërdhënësit dhe zbatuesit të tij, shtetit të Serbisë. Për të sjellë sa më shumë informacion për opinionin publik rreth themelimit, fushëveprimit si dhe objektivit të Qendrës Gjenocidi në Kosovë, plagë e hapur”, e cila ka hasur në një jehonë shumë pozitive, për gazetën “Epoka e re” e intervistuam politologun Bardhyl Mahmuti, të cilit nismëtarët e themelimit ia kanë besuar udhëheqjen e qendrës.

Lulëzim ETEMAJ

“Epoka e re”: Më 30 qershor themeluat Qendrën Gjenocidi në Kosovë, plagë e hapur”. Cilat janë qëllimet e kësaj qendre dhe si mendoni t’i realizoniato?

Bardhyl Mahmuti: Informimi sa më i madh dhe sa më i gjithanshëm në përmasa botërore lidhur me atë që ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë është detyrë e institucioneve të Kosovës, sidomos që nga koha e miratimit nga ana e Kuvendit të Kosovës të rezolutës për gjenocidin, të datës 8 maj 2019. Qëllimi kryesor i qendrës që kemi themeluar, si organizatë joqeveritare, është ta japim kontributin tonë në këtë drejtim. Shpresojmë të shtrihemi në të gjitha vendet demokratike në botë dhe të krijojmë një rrjet të organizuar intelektualësh dhe veprimtarësh, të cilët angazhohen vullnetarisht për ta përhapur të vërtetën e gjenocidit serb në Kosovë. Ndriçimi i kësaj tragjedie krijon kushtet që të pranohet dhe të njihet nga vendet demokratike krimi i gjenocidit, që shteti serb e ka kryer kundër shqiptarëve në Kosovë.

“Epoka e re”: Me sa shihet, themelimi i qendrës ka ngjallur një interesim të madh?

Bardhyl Mahmuti: Të jemi të qartë. Politika e gjenocidit në Kosovë ka pasur për qëllim t’ishkatërrojë shqiptarët si komb, si etni dhe si religjion i ndryshëm nga serbët. Në zbatimin e kësaj politike nuk janë bërë dallimet nëse dikush është i kësaj apo asaj partie, i këtij apo atij rajoni, i kësaj apo asaj gjinie, i kësaj apo asaj moshe: të gjithë shqiptarët e Kosovës kanë qenë cak i shkatërrimit. Prandaj, pa marrë parasysh nga cili shtet kanë prejardhjen apo në cilin shtet jetojnë aktualisht, intelektualët dhe veprimtarët shqiptarë duhet t’i bashkërenditin veprimtaritë e veta që të ngadhënjejë drejtësia.    

“Epoka e re”: Për logo të qendrës keni përcaktuar lulëkuqen. Lulëkuqja është simbol që është përdorur edhe nga popuj të tjerë. Cilat janë arsyet që u përcaktuat për këtë logo?

Bardhyl Mahmuti: Është fakt se në disa vende të botës, së paku qe një shekull, lulëkuqet kanë shërbyer si simbol për t’i përkujtuar të rënët gjatë luftërave anekënd globit. Kështu, për shembull, në Britaninë e Madhe dhe vendet e Komonvelthit lulëkuqet janë simbol i përkujtimit të luftëtarëve të vrarë në fushëbeteja, veçanërisht të rënëve gjatë Luftës së Parë Botërore dhe solidarizimit me familjet e tyre. Edhe kanadezët e kanë përcaktuar këtë lule si simbol të premtimit, që do t’i përkujtojnë dhe nuk do t’i harrojnë kurrë ata të cilët u sakrifikuan për lirinë e vendit. Përkujtimi i të rënëve në Kanada bëhet çdo vit në orën 11.00, në ditën e 11 të muajit të 11.

Pas konsultimeve të shumta, vendosëm që simbol i Qendrës Gjenocidi në Kosovë, plagë e hapur” të jetë lulëkuqja. Për dallim nga lulëkuqet që përdoren si simbol në shumë vende të tjera, katër petalet e lulëkuqes në logon që kemi krijuar paraqesin katër format e veprimeve të gjenocidit, Serbia e zbatoinë Kosovë: vrasjet, dhunimet seksuale, spastrimi etnik dhe shkatërrimi i objekteve që lidhen me përkatësinë etnike dhe identitetin shqiptar. Ndërsa në vend të kokrrave të zeza të farës së lulëkuqes, në logon tonë janë prezantuar figura burrash, grash, djemsh dhe vajzash, për të kujtuar mbi dhjetë mijë civilë shqiptarë të vrarë dhe të gjymtuar, të të gjitha moshave dhe të dy gjinive, mbi njëzet mijë viktimadhunës seksuale, rreth një milion viktimaspastrimit etnik dhe qindra mijëra shkatërrime gjatë gjenocidit në Kosovë. Petalet e lulëkuqes në logon tonë janë të vendosura në formë të shkronjës X, për arsye se gjatë luftës, në disa vendbanime ku popullsia ishte e përzier në aspektin e përkatësisë etnike, okupatorët serbë kishin shënjuar shtëpitë e shqiptarëve me një X, me qëllim që të udhëzoheshin forcat e armatosura serbe drejt vendeve ku duhej të kryheshin krimet.

“Epoka e re”: Kush e përgatiti logon e Qendrës?

Bardhyl Mahmuti: Logon e ka përgatitur një veprimtar i shquar i çështjes kombëtare, që vjen nga Lugina e Preshevës, Adnan Asllani. Për ata që nuk e dinë, Adnan Asllani është autori i emblemës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kryeredaktori i “Zërit të Kosovës” gjatë luftës në Kosovë.

“Epoka e re”: A keni përcaktuar modalitetet e përdorimit të logos dhe rastet kur do të duhej të përdorej logoja e lulëkuqes me figurat që simbolizojnë viktimat e gjenocidit në Kosovë?

Bardhyl Mahmuti: Janë një numër idesh të modaliteteve të prezantimit të logos, të cilat do të konkretizohen në një të ardhme shumë të afërt. Mendojmë që ditët e përkujtimeve të viktimave të gjenocidit në nivele lokale janë ditë të veçanta, ku do të mund të përdoreshin logot në shenjë solidariteti dhe përkujtimi, ose më 15 janar, datë të cilën Kuvendi i Kosovës e ka shpallur si Ditë tëPërkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë. Megjithatë, duke u nisur nga ndikimi i madh që kanë manifestimet kulturore dhe sportive në përhapjen e mesazheve të caktuara, përdorimi i logos për ta bërë të njohur gjenocidin  serb në nivel ndërkombëtar është plotësisht i arsyeshëm.

“Epoka e re”: A mendoni ta zgjeroni rrjetin edhe në vendet e tjera demokratike?

Bardhyl Mahmuti: Shpresojmë që në çdo vend demokratik të botës do të krijohen qendra që do tajapin kontributin e tyre për ta bërë sa më ta njohur gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Kjo do të ishte mënyra më e mirë e përkujtimit të atyre që janë plagë e hapur në shpirtin dhe trupin e Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Remzi Ejupi për “Epokën e re” ka zbuluar se sot…