Gjenocidi serb në Makofc të Prishtinës me rrethinë!

19 prill 2021 | 11:49

Në këtë krim gjenocidal Serbia fashiste, më 17, 18 e 19 prill 1999, i vrau 160 shqiptarë civilë, pa kursyer moshë as gjini, pleq e fëmijë, në mesin e tyre 8 trupa ende konsiderohen të zhdukur.

Prof. dr. Nusret Pllana

MOS – HARRESA NË SHËRBIM TË KUJTESËS HISTORIKE!

Të nderuar përfaqësues të Institucioneve të Republikës së Kosovës,
Të nderuara familje të dëshmorëve dhe martirëve të kombit,
Të nderuar invalidë e veteranë të luftrave tona çlirimtare,
Të dashur vëllezër e motra,

Të rënët për liri kanë përmasë historike dhe kombëtare. Të rënët në luftën për liri dhe çlirim, janë themeli i kësaj Kosove që kemi sot, por edhe procesi i madh historik i bashkimit kombëtar.

Të rënët në logun e betejës janë peshorja e ndërgjegjës së shqiptarëve. Ideali i lirisë, i të rënëve në të njëjtën kohë, për ata shqiptarë që ende kanë dilema se a duhej të bëhej lufta çlirimtare, është kamxhikosje e psikologjisë së robit. Atdheu i të rënëve për lirinë e Kosovës është atdheu i të gjithë shqiptarëve.

Masakra në Gollak, përkatsisht në Makofc, më 17, 18 e 19 prill të vitit 1999, është ajo pjesa tragjike e jetës historike të popullit shqiptar, vazhdimësi e masakrës gjenocidale të masakrës së Parapashticës e Keqekollës, ku edhe para 100 viteve regjim barbar serb i pat vrarë dhe djegur 1020 shqiptarë të kësaj Prapashticës, kurse 514 të Keqekollës, e që pat shpëtuar vetëm një foshnjë në djep, dhe për fat të keq, sot e kësaj dite, as edhe një film dokumentar nuk e kanë bërë institucionet tona kompetente për këtë gjenocid të paparë të fillim shekullit XX në Kosovë.
Mëngjesin e 18 prillit 1999 forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe sulmuan shumë fshatra të Gollakut, të Komunës së Prishtinës, ku vranë e masakruan në mënyrën më barbare 160 civilë shqiptarë duarthatë, burra, gra, pleq e fëmijë. Kjo ngjarje tragjike ka hyrë në histori me emrin Masakra e Makofcit me rrethinë.

Image preview

Në Kosovë Lufta e UÇK-së kundër forcave ushtarake dhe policore pushtuese serbe kishte mbi dy vjet që zhvillohej. Gjatë kësaj periudhe në Kosovë kishin ndodhur edhe masakra të tjera, secila më e rëndë se tjetra, shumë tragjike dhe shumë të tmerrshme, por ajo që ndodhi në Makofc, kur edhe me sharrë druri ekzekutoheshin njerëzit e kësaj ane, andaj, këtë barbari e mizori fashizoide nuk do ta duronte as logjika e as truri i njeriut, po të ndodhte edhe në kohë të mesjetës, e lëre më në zemër të Evropës, të ashtuquajtur ‘demokratike’, e cila për fat të keq, me gjithë këtë gjenocid të ushtruar nga barbaria dhe mizoria serbe mbi shqiptarët, për gati dy shekuj me radhë, ajo(Evropa pra) shqiptarët edhe sot e kësaj dite i konsideron qytetarë të rendit të dytë, ndërkaq Serbinë pushtuese e gjenocidiale e trajton edhe më tutje si të përkëdhelurën e Ballkanit.

Skenat barbare nga masakra e Makofcit kishin tronditur opinionin ndërkombëtar, por edhe ngjarjet me kufomat e kësaj masakre dhe të masakrave të shumta gjithandej Kosovës, ishin akte shumë çnjerëzore, që e vërtetonte për të satën herë brenda dy shekujve, urrejtjen patologjike të çmendurisë serbe ndaj racës pellazgo-iliro-dardane, përkatësisht shqiptare.

Të nderuar udhëheqës të Republikës së përgjakur të Kosovës,
Të nderuar qytetarë të Gollakut me rrethinë,
Të nderuar të pranishëm të këtij këtij tubimi përkujtimor,

Nuk e mban në mend as një periudhë e historisë njerëzore lojen me të vdekurit, varrosjen dhe zhvarrosjen e tyre sa herë ju tekej, siç e kanë bërë regjimet barbare serbe mbi shqiptarët në vazhdimësi, e sidomos në fund luftën e viteve 1998/1999, vetëm e vetëm që të zhduknin gjurmët e këtij gjenocidi të paparë në Evropë, pas luftës së dytë botërore. Këtë lojë të çmendurisë së tyre me kufomat shqiptare, vazhdojnë ta bëjnë qe 22 vite rresht, dhe për fat të keq, në mungesë të presionit të mirëfillt ndërkombëtar, edhe më tutje na i mbajnë gjithandej Serbisë gjenocidale trupat e 1645 shqiptarëve civilë, që i vranë e masakruan barbarisht, vetëm e vetëm pse ishin racë e kundërt me ekzekutorin.
Dihet se pas masakrës, një luftë tjetër e ashpër u zhvillua për marrjen e kufomave, për varrimin e tyre dhe për analizat e komisionit ndërkombëtar, të cilat për pushtetin e satrapit të Ballkanit Milosheviq kishin pak rëndësi.
Krimi shtetëror serb në Makofc ndikoi drejtpërdrejtë në ndërgjegjësimin e opinionit ndërkombëtar dhe të qarqeve e të qendrave botërore vendimmarrëse për atë çfarë po ndodhte në të vërtetë në Kosovë.

Image preview

Prandaj, mos – harresa e kujtesës historike është jo vetëm obligim moral, edukativ e kulturor për ne të gjallët e vdekur, por edhe obligim historik, që t’i kujtojmë më të dashurit tanë, jo vetëm gjatë përvjetorëve të rënjes së tyre, por me vepra e punë të mira për atdheun tonë të larë me gjakun e djemëve dhe vajzave tona, të nënave dhe baballarëve tanë që u therrorizuan me shekuj për lirinë e Kosovës dhe Bashkimin e trojeve shqiptare. Sa herë atdheu i një populli të robëruar përgjaket, janë të rënët ata që bëjnë shenjat e ringjalljes së tij.
Andaj, sot jemi tubuar këtu të përkulemi para tyre, edhe pse në rrethana të jashtëzakonshme pandemike, të betohemi para gjeneratave të reja dhe brezave që do të vijnë, se këto flijime me përmasë antologjike të djemëve dhe vajzave tona më të mira, të nënave dhe baballarëve tanë, nuk do t’i harrojmë kurrë, sepse gjaku i tyre është vet liria e Kosovës.

Sido që të merret, flijimi dhe sakrifica e të rënëve për lirinë e atdheut, janë pjesë e kujtesës sonë historike, të brezave që do të vijnë, sepse çdo gjë mund të harrohet, por gjaku i derdhur për liri nuk harrohet kurrë. Andaj, nuk harrohet as gjaku i këtyre 160 qytetarëve të Makofcit e fshatrave të tjera të Gollakut me rrethinë, të rënë këtu, sot e 22 vite më parë, nuk harrohet as gjaku i asaj nëne, i atij plaku, por as gjaku i asaj foshnje, që është bërë pjesë e lirisë sonë.

Qoftë edhe vetëm për këtë fakt, të rënët për lirinë e Kosovës kanë përmasë historike dhe kombëtare.
Të kësaj përmase janë edhe të rënët e Masakrës së Makofcit e të fshatrave të Gollakut me rrethinë.
LAVDI!

P.S. Një falënderim i veçantë nga ky manifestim përkujtimor i takon studentit të familjes së martirizuar Haxholli, z. Albion Haxholli, i cili sot(më 18 prill 2021) me shpenzime të veta e kishte stolisur Kompleksin Memorial të Makofcit, rreth e rreth me flamuj kuq e zi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Modelja spanjolle-argjentinase, Georgina Rodríguez, do të vijë së shpejti me…