Gjeopolitika etnike e Putinit: Kosova, fushëbeteja e parë (2)

19 shkurt 2020 | 11:05

Shkruan: Enver Hoxhaj

Në gushtin e 1999 Boris Jeltsini do ta befasojë botën me vendimin për ta emëruar Putinin kryeministër të Rusisë. Shumë pak dihej ndërkombëtarisht se kush ishte ai në të vërtetë. Gjatë kishte punuar pas perdeve dhe me poste jo të larta. Në fund të viteve ’80 shërbeu në stacionin e KGB-së në Drezden, me një detyrë interesante: puna e tij nuk ishte spiunazhi, por kundërspiunazhi. Do të thoshte, identifikimi, mundja (defeating) dhe shkatërrimi i armiqve sovjetikë. Në fillim të ’90-s, kur Mikhail Gorbachev u zotua për ta modernizuar dhe hapur Bashkimin Sovjetik, deri atëherë të mbyllur e komunist, Putini u bë i njohur brenda shërbimit të KGB me këtë fjali. “Çfarë po bënte Gorbaqov ishte konspiracion për ta shitur atdheun tek interesat e huaja”.

Më vonë, si president do ta përsëriste se shpërbërja sovjetike “ishte katastrofa më e madhe gjeopolitike e shekullit XX”. Një karakteristikë e Putnizmit është ideologjia e restaurimit: ambicia për një restaurim politik, territorial dhe shpirtëror të gjeopolitikës cariste dhe sovjetike. Rusët dhe sllavët shihen si zgjatje të njëri-tjetrit dhe këto janë premisa bazike e të menduarit dhe vepruarit gjeopolitik.

Në këtë kontekst, vizitat e tij në Serbi i shërbejnë qëllimit sesi Rusia ta këtë njërën këmbë në Ballkan. Për herë të parë, më 17 qershor të 2001-s, ai do ta vizitojë Beogradin dhe kjo po ndodhë pas shumë dekadash që një udhëheqës i lartë nga Moska po qëndronte në kryeqytetin serb. Tema kryesore ishte Kosova. Sipas tij, “stabiliteti në regjion është seriozisht i kërcënuar nga ekstremistët nacionalë e fetarë dhe burimi kryesor është Kosova”.  Po ashtu, kërkoi që bashkësia ndërkombëtare t’i çarmatosë “terroristët” shqiptarë. Nëse kjo ndodhë, ai e siguronte bashkësinë ndërkombëtare se Rusia do të bashkëpunojë me të dhe në interes të serbëve në Ballkan, meqë Rusia ka rrënjë të përbashkëta historike sllave ortodokse.

Mandej befas ai e vizitoi edhe Kosovën. Garda ruse e nderit e priti me nderime të larta në Aeroportin e Prishtinës e më pas vizitoi bazën ushtarake ruse jo larg tij, në Vrellë, ku ishin të vendosur rreth 3 000 ushtarë. Duke folur para mediave, ai kundërshtoi kornizën kushtetuese dhe institucionet e përkohshme vetëqeverisëse në Kosovë, edhe pse ato u krijuan dhe buronin nga Rezoluta 1244. Kjo rezolutë ishte negociuar me Rusinë dhe votuar nga ajo në Këshillë të Sigurimit. Natyrisht, as një fjalë për atë se çfarë kishte ndodhur në Kosovë gjatë luftës, spastrimet etnike dhe krimet masive të regjimit serb. Putini gjatë kësaj kohe kishte qenë udhëheqës i FSB, vazhdues të KGB-së dhe natyrisht që e dinte nga dora e parë se çfarë krime çnjerëzore kishte bërë Serbia.

Por duke ardhur nga kundërspiunazhi, ai e njihte mënyrën sesi ta formësonte temën dhe sesi ta shpallte mendimin mashtrues: sulmi mbi Jugosllavinë po ndodhte për shkak të interesave të NATO-s që të zgjerohet në Evropën Juglindore. Fjala krizë humanitare nuk do të ekzistojë asnjëherë në fjalorin politik të tij apo të Rusisë për ta përshkruar Kosovën në kohë lufte.

 Gjeopolitika etnike

Vëmendja e Vladimir Putinit ishte te serbët në Kosovë, shtypja kinse e shqiptarëve ndaj tyre dhe shkatërrimi i kishave ortodokse serbe. Këtu dhe në raport me serbët në Kosovë, ai filloi ta promovojë brandin e tij, të njohur si gjeopolitika etnike. Putini gjatë kësaj kohe shpesh ka folur për serbët në Kosovë dhe në Bosnjë, duke mos e fshehur pritjen e tij – ata nuk ishin pakica serbe, por instrumente të politikës ruse në Ballkan. Veriu i Kosovës do të bëhet një zonë e pelegrinazhit gjeopolitik rus për dy dekada: nga “konvojet humanitare”, prania studentore, media, personel rus në organizatat ndërkombëtare dhe qytetarë privatë. Gjeopolitika etnike si element i doktrinës së tij do të shihet ndërkohë dhe kudo – nga Ballkani, Evropa Lindore e deri te shtetet e Baltikut. Natyrisht në kontekst të popullatës ruse në këto vendet e fundit, interesi dhe intensiteti i angazhimit rus ishte i përmasave të tjera.

Paraardhësi i tij, Boris Jeltsin, respektoi integritetin territorial dhe sovranitetin e ish-republikave sovjetike. Si rrjedhojë, shpërbërja sovjetike qe paqësore dhe jo e dhunshme sikurse ishte ajo jugosllave. Putini e ka bërë deri më tash të kundërtën përmes përdorimit të forcës ushtarake apo edhe luftës hibride. Me instrumente të shumëllojta politike, diplomatike, ekonomike dhe kulturore ka ndërhyrë në disa vende dhe me çdo mjet. Qëllimi është, po ashtu, krijimi i rrethanave jostabile të brendshme duke kërcënuar sigurinë e një vendi të caktuar përmes pranisë ushtarake, paraushtarake apo varësisë politike dhe ekonomike, si pjesë e doktrinës së putinizmit. Kështu e ka futur fillin e një bote të pasigurt jo vetëm në Evropën Lindore, por më gjerë dhe është shndërruar një zëdhënës maniak, që Evropa nuk e ka parë pas vitit 1945.

 Ruajtja e status-qous

Një karakteristikë e putinizmit është ruajtja e status qous dhe moskokëçarja se si një vend qeveriset. Çfarë janë vlerat e sistemit politik dhe në cilat parime është ndërtuar ai, nuk paraqet ndonjë shqetësim. Trupat ruse u tërhoqën nga Kosova më 2003, por Rusia do të mbetet e përfshirë më tutje në administratën e UNMIK-ut dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare. Gjatë kohës kur Kosova po përmbushte standardet e mirëfillta, të vendosura nga OKB dhe UNMIK, Rusia angazhohej ta përmbyste kudo publikisht realitetin e Kosovës.  Putinit nuk i interesonte ta gjente të vërtetën, por që ta shpallte atë. Ai përdori çdo mekanizëm për të përhapur akuza të rreme ndaj Kosovës, diversion të ndryshëm diplomatik e deri te propaganda agresive globalisht kundër Kosovës. Ishte kjo koha kur po fillonte përcaktimi i statusit final të Kosovës.

Mbajtja e Kosovës në një gjendje të papërcaktuar politike dhe në pafundësi ishte qëllimi rus. Status qou është ajo që Putini e preferon jo vetëm në lidhje me Kosovën, por kudo tjetër. Atë do ta propagandojë personalisht në lidhje me zgjerimin e NATO-s në Evropën Qendrore dhe Juglindore në vitet 2004 dhe 2009. Të njëjtën qasje do ta ndjekë në raport me zgjerimin e BE-së në Ballkan. Mirëpo, kulmi i përdorimit të magjisë se prishjes së rendit të brendshëm politik dhe prodhimi i situatave të dhunshme ishin në vitet e fundit kur Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut po trokisnin në derën e NATO-s për anëtarësim.

Cilat janë argumentet që përdor Putini në qëndrimet e veta për Kosovën? Ato që vërehen më vonë edhe te vendet e tjera? Në vitet para pavarësisë ai do të flasë për entitetin Kosovë si një vend i dështuar. Kur Kosova përmbushi standardet para statusit, të konfirmuar nga KS i OKB-së, ku Rusia është anëtar i përhershëm, Putini ishte i vetëdijshëm që kjo mund të çonte te sovraniteti gradual i merituar. Ai e përhapi pamjen më të errët për Kosovën në shtypin ndërkombëtar sikurse vendi të ishte buzë kolapsit. Sa më shpejt vazhdonin negociatat nën udhëheqjen e OKB-së për të ardhmen e Kosovës, aq më apokaliptike do të jetë vizioni i tij për Kosovën.

Një narracion të tillë të përdorur nga Putini do ta gjejmë para luftës me Gjeorgjinë më 2008, apo para dhe pas aneksimit të Krimesë 2014 dhe ndërhyrjes ushtarake në Ukrainën Lindore. Këtu do ta përdorte trillimin dhe truket e njëjta, të cilat rusët i kishin përdorur për  Kosovën në çdo institucion ndërkombëtar. Perëndimi po synon që të imponojë standarde demokratike në Evropën Lindore dhe ato nuk kanë të bëjnë as me traditën dhe as me kulturën e popujve të ndryshëm. Synohej të krijohej përshtypja se në vend të lirisë dhe demokracisë, në shumë vende ku ndërhynë perëndimoret, të kishte kaos dhe dhunë. Putini akuzon evropianët se “pranverën arabe” pas 2011-s do ta shndërrojnë në “dimër arab”. Të gjitha këto qëndrime të Putinit janë trillime dhe një diskurs mashtrues që nuk kishin të bëjnë fare me realitetin. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Konventën e dytë të Prodhuesve të Kosovës, të organizuar…