Gjermani me fat, gjen shufra ari me vlerë 30 mijë euro ndërsa ishte duke prerë barin
Një punonjës bashkie në Gjermani gjeti tetë shufra ari ndërsa ishte duke prerë barin në një pellg për mbajtjen e ujërave të shiut.
Pasi raportoi zbulimin në Bannewitz, në jug të Dresdenit, zyrtarët zbuluan dy shufra të tjera, me policinë që e vlerësoi thesarin në mbi 30,000 euro, transmeton Telegrafi.
Çdo shufër peshon një ons, raporton transmetuesi lokal MDR. Hetuesit, të cilët konfirmuan zbulimin të premten, po përpiqen të përcaktojnë nëse shufrat janë vjedhur apo bëhet fjalë për ndonjë krim.
Deri më tani, ato nuk duket se janë të lidhura me ndonjë rast ekzistues. Numrat serik të gdhendur do të përdoren për të përcaktuar pronarin e ligjshëm të arit.
Shufrat aktualisht mbahen në një vend të sigurt në selinë e policisë së Dresdenit.
Marko Laske, zëdhënës i policisë së Dresdenit, tha për mediat: “Nuk kam hasur kurrë një rast të tillë në më shumë se 20 vjet. Fakti që shufrat e arit i dorëzohen policisë si pronë e gjetur është jashtëzakonisht e rrallë”.
Nëse asnjë pronar nuk paraqitet brenda gjashtë muajsh dhe policia përcakton se nuk është kryer ndonjë krim, gjetja do t’i kthehet bashkisë.
Më pas bashkia mund të vendosë se çfarë do të ndodhë më pas.
Kryebashkiaku i Bannewitz, Heiko Wersig, tha se nëse paratë do t’i jepeshin qytetit, ai do të donte që ato t’u jepeshin klubeve në zonë.
Ai tha se “mezi mund ta besonte” kur dëgjoi për herë të parë për zbulimin.



