Gjermania kërkon tribunal special kundër Rusisë për luftën në Ukrainë

16 janar 2023 | 16:54

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, bëri thirrje për themelimin e një tribunali të posaçëm ndërkombëtar për të ndjekur liderët rusë lidhur me pushtimin e Ukrainës.

Ajo çfarë duhet “është një tribunal i cili mund të hetojë lidershipin rus dhe t’i vendosë ata para gjyqit”, tha Baerbock më 16 janar, gjatë një fjalimi në Akademinë e Ligjit Ndërkombëtar në Hagë, ku gjendet edhe selia e Gjykatës Penale Ndërkombëtare.

Sipas saj, me të drejtë Qeveria ukrainase është e shqetësuar që Rusia nuk mund të ndiqet penalisht para Gjykatës Penale Ndërkombëtare për agresionin e saj ndaj Ukrainës. Kjo pasi, sipas kryediplomates gjermane, Gjykata Penale Ndërkombëtare mund të trajtojë raste kur paditësi dhe i pandehuri janë anëtarë të gjykatës ose rasti ngrihet nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, raporton Rel.

Rusia nuk është anëtare e Gjykatës Penale Ndërkombëtare dhe është një nga pesë fuqitë botërore që ka të drejtën e vetos dhe është anëtare e përhershme në Këshillin e Sigurimit. Statusi i saj në këtë institucion ka të ngjarë që do të bllokonte institucionin e OKB-së që të inicionte një rast para gjykatës.

“Kemi biseduar për të punuar me Ukrainën dhe partnerët tanë lidhur me idenë e krijimit të një tribunali special për krimet e agresionit kundër Ukrainës”, tha Baerbock, duke shtuar se një institucion i tillë do të mund të merrte juridiksionin e tij nga ligji penal ukrainas.

Një tribunal i tillë do të mund të plotësohej me elemente ndërkombëtare – “të ketë selinë jashtë Ukrainës, të financohet nga partnerët, të ketë prokurorë dhe gjykatës ndërkombëtarë në mënyrë që paanshmëria dhe legjitimiteti të jetë i garantuar”, tha Baerbock.

Ukraina, Bashkimi Evropian dhe Holanda publikisht kanë mbështetur idenë e krijimit të një tribunali special. Rusia, që e quan luftën e saj në Ukrainë “operacion të posaçëm ushtarak”, ka hedhur poshtë akuzat për krime lufte, përfshirë sulmet e qëllimshme ndaj civilëve ukrainas, mijëra prej të cilëve janë vrarë.

Shefi i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Karim Khan, megjithatë ka paralajmëruar për fragmentim të mundshëm ligjor dhe ka thënë se gjykata që ai udhëheq, në fakt është vendi më i mirë për gjykime që përfshijnë krimin e agresionit. Sipas tij, gjykime të tilla mund të zhvillohen pasi shtetet anëtare mund të rregullojnë “zbrazëtirat që thuhet se ekzistojnë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
17.01.2023 Punime të domosdoshme për siguri të sistemit Pejë 1.…