Gjermania kundër Greqisë: Nuk mund ta bllokoni Shqipërinë për shkak të “Belerit”

27 nëntor 2023 | 18:43

Berlini zyrtar e ka quajtur të papranueshëm pretendimin e Greqisë për të penguar rrugën e integrimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian për shkak të çështjes Beleri.

“Shqipëria është vendi që ka bërë më shumë hapa drejt anëtarësimit në BE dhe kjo rrugë nuk duhet të ndërpritet për shkak të një bilateralizimi për çështjen Beleri”, ka deklaruar Ministria e Jashtme Gjermane për gazetën greke “Ta Nea”.

“Për rastin e kandidatit për kryebashkiak në Himarë, Fredi Beleri, aktualisht po kryhen hetime nga autoritetet shqiptare. Duhet të presim procesin aktual në Shqipëri”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme gjermane për gazetën greke.

“Përcaktues për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE është ekskluzivisht plotësimi i kritereve të anëtarësimit, përfshirë edhe “acquis”-në e BE-së”, thuhet në përgjigjen e Berlinit zytar, e cila konkludon: “Është e rëndësishme që kjo të jetë gjithashtu pikë referimi për të gjitha shtetet anëtare në vendimet e tyre për hapat individualë në procesin e anëtarësimit. “Bilateralizimi” i procesit të anëtarësimit nuk është i pranueshëm”.

Një rast i “bilateralizimit” është konflikti aktual i Bullgarisë me Maqedoninë e Veriut, ndaj dhe qeveria gjermane nuk do të donte që çështja Beleri të rezultonte me një “bilateralizim” edhe të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë, nëse Athina vendos të marrë masa specifike dypalëshe kundër Tiranës.

Këtë të hënë edhe Ministri i Shtetit Savros Papastavrou tha se burgimi i Fredi Belerit, nuk është vetëm një çështje dypalëshe, por një çështje evropiane.

‘Çështja e Belerit është thelbësisht evropiane, jo dypalëshe. Ai sillet rreth respektimit të shtetit të së drejtës,’, tha Papastavrou në një intervistë për radio Skai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është vetëdorëzuar në polici i dyshuari për shkaktimin e aksidentit…