Gjermania merr presidencën gjashtëmujore të BE-së

01 korrik 2020 | 11:07

Më 1 korrik Gjermania ka marrë përsipër presidencën gjashtëmujore të Bashkimit Evropian (BE).

BE-ja është duke u përballur me recesionin më të thellë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tashmë ka përgatitur një plan të rimëkëmbjes ekonomike, për të ndihmuar BE-në të përballet me pasojat pandemisë së koronavirusit.

Merkeli ka pritur presidentin francez, Emmanuel Macron, më 29 qershor, pasi të dy udhëheqësit mbështesin bashkërisht fondin e rimëkëmbjes së BE-së.

Kancelarja ka thënë se “Gjermania dhe Franca, në muajt e ardhshëm, duan të luajnë një rol së bashku duke e bërë të qartë se Evropa është e ardhmja jonë”, raporton “Rel”.

Merkeli ka theksuar unitetin gjermano-francez në rindërtimin e ekonomisë së BE-së, duke pranuar se “pritjet janë të larta” pasi Gjermania merr presidencën e radhës të BE.

Merkeli dhe Macroni së bashku kanë propozuar krijimin e një plani 500 miliardë dollarësh për të ndihmuar Evropën të dalë nga dëmi i rëndë ekonomik i shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.

Propozimi i përbashkët është zgjeruar nga Komisioni Evropian, i cili ka parashtruar plane për një fond prej 750 miliardë eurosh.

Paratë pritet të ndihmojnë vendet më të goditura nga pandemia, të tilla si Italia e ngarkuar me borxhe dhe Spanja. Megjithatë disa vende anëtare e kanë kundërshtuar planin.

Një test i parë i madh për presidencën gjermane do të jetë një samit i BE-së më 17 dhe 18 korrik, ku Merkeli shpreson se liderët do të arrijnë një marrëveshje mbi fondin.

“Fondi nuk mund të zgjidhë të gjitha problemet e Evropës, por pa të gjërat vetëm do të përkeqësohen”, kishte thënë Merkeli në një intervistë të publikuar më 26 qershor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” fton të gjithë borxhlinjtë të…