Gjermania mohon bllokimin e dërgimit të tankeve ‘Leopard’ në Ukrainë

20 janar 2023 | 16:52

Ministri i ri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka mohuar të premten se Berlini po bllokon në mënyrë të njëanshme dërgimin e tankeve “Leopard” në Ukrainë, por ka thënë se qeveria ishte e gatshme të lëvizte shpejt për këtë çështje nëse do të kishte konsensus midis aleatëve.

Duke folur me gazetarët, në një takim të liderëve të NATO-s dhe të mbrojtjes, në bazën ajrore Ramstein në Gjermani, Pistorius ka thënë se ka arsye pro dhe kundër për dërgimin e tankeve “Leopard” në Ukrainë.

“Ka arsye të mira për dërgimin e tyre dhe ka arsye të mira kundër dërgimit të tyre, dhe duke pasur parasysh të gjithë situatën e një lufte që po vazhdon për gati një vit, të gjitha argumentet pro dhe kundër duhet të peshohen me shumë kujdes”, ka thënë ai pa dhënë më shumë detaje për arsyet.

Presioni mbi Berlinin është rritur për të siguruar tanke për Kievin, të cilat Ukraina i sheh si kyçe në luftën kundër Rusisë.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, më herët u ka kërkuar aleatëve të gërmojnë më thellë për të mbështetur Ukrainën.

Udhëheqësit e NATO-s dhe ministrat e mbrojtjes nga rreth 50 vende po zhvillojnë takim në bazën ajrore Ramstein të Gjermanisë, për të folur për ndihëm dhe premtimin e armëve që kur Rusia pushtoi Ukrainën gati 11 muaj më parë.

Gjermania është bërë një nga mbështetësit kryesorë ushtarakë të Ukrainës në përgjigje të pushtimit të Rusisë, por ajo ende nuk ka rënë dakord të dërgojë tanke ose të lejojë vendet e tjera të dërgojnë tanket e tyre të prodhimit gjerman në Ukrainë.

Rieksporti i “Leopardëve” kërkon miratimin e Qeverisë gjermane, kështu që edhe vendet e tjera që i kanë këto tanke nuk mund t’i dërgojnë ato në Ukrainë pa këtë aprovim.

Berlini ka thënë këtë javë se vendimi për tanket “Leopard” është kushtëzuar me vendimin e Shteteve të Bashkuara për të dërguar tanket “Abrams”, diçka që Uashingtoni nuk planifikon ta bëjë.

Mirëpo, Pistorius ka thënë se nuk është në dijeni të kushteve të tilla.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
21.01.2023 Punime të domosdoshme për siguri të sistemit Prishtinë 1.…