Gjermania ndal fondet për partinë e ekstremit të djathtë për shkak të ideologjisë

23 janar 2024 | 15:10

Gjykata më e lartë në Gjermani ka vendosur se një parti e vogël e ekstremit të djathtë nuk do të marrë asnjë fond shtetëror në gjashtë vjetët e ardhshme për shkak se vlerat dhe qëllimet e saj janë jokushtetuese dhe synojnë shkatërrimin e demokracisë së shtetit.

Gjykata Federale Kushtetuese ka thënë se partia Die Heimat, që më herët njihej si Partia Nacionale Demokratike e Gjermanisë (NPD), “vazhdon të shpërfillë rendin demokratik dhe sipas qëllimeve të saj dhe veprimeve të anëtarëve dhe mbështetësve të saj, është e orientuar drejt eliminimit të tij”.

Gjykatësja Doris Koenig, që është nënkryetare e Gjykatës Kushtetuese, ka shpjeguar vendimin e marr në mënyrë unanime, duke thënë se koncepti politik i partisë nuk është në përputhje me garantimin e dinjitetit njerëzor, ashtu siç definohet në Kushtetutën gjermane.

Die Heimat ka një koncept të identitetit etnik gjerman dhe përkrah idenë që “komuniteti kombëtar” është i bazuar në prejardhje, ka thënë gjykatësja.

“Promovimi i komunitetit bazuar në etni rezulton në shpërfillje për të huajt, migrantët dhe pakicat dhe cenon dinjitetin njerëzor dhe parimin e barazisë elementare ligjore”, ka thënë Koenig.

Qeveria gjermane, Dhoma e Ulët dhe e Lartë e Parlamentit kanë dërguar lëndë për këtë parti para gjykatës. Ata kanë paraqitur prova, duke thënë se dëshmojnë se Die Heimat është një organizatë raciste, që ka ideologji antimyslimane dhe antisemitike, dhe kundërshton transgjinorët.

Qeveria e ka ngritur çështjen për ndalimin e financimit të kësaj partie politike nga shteti, pasi dy përpjekje për t’ia ndaluar veprimtarinë kësaj partie dështuan.

Lideri i Die Heimat, Frank Franz, e ka minimizuar e rëndësinë e vendimit të së martës.

“Po, nuk është shumë i mirë për ne”, ka thënë Franz, sipas agjencisë gjermane të lajmeve “DPA”.

Partitë politike në Gjermani marrin mbështetje financiare bazuar me përfaqësimin e tyre në parlamentin shtetëror, kombëtar dhe evropian.

Die Heimat nuk ka pranuar asnjë mbështetje nga shteti që nga viti 2021. Më 2016, kjo parti kishte pranuar 370 600 euro, pasi kishte fituar 3.02 për qind të votave në zgjedhjet në shtetin lindor të Meklenburgut – Pomeranisë Perëndimore.

Edhe një parti tjetër e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD) është ngritur në sondazhe. Aktualisht, sipas sondazheve kjo parti është e dyta sa i përket mbështetjes kombëtare apo ka 23 për qind mbështetje, shifër shumë e lartë krahasuar me zgjedhjet e fundit federale që u mbajtën në Gjermani më 2021, kur AfD-ja ka fituar i 10.3 për qind të votave.

Politikanët kryesorë në Gjermani e kanë diskutuar mundësinë e ndalimit të AfD-së apo përjashtimit të saj nga ndihma financiare shtetërore, por deri më tani asnjë politikan nuk ka bërë hapa serioze në këtë drejtim.

Ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser, e ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Die Heimat, duke thënë se “dërgon mesazh të qartë: shteti ynë demokratik nuk financon armiqtë e Kushtetutës”. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesi kuqezi i Chelseat, Armando Broja është rikthyer në listën…