Gjermania ndihmon FSK-në me 3 milionë euro
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, me ç’rast është zyrtarizuar pranimi i një donacioni në vlerë prej 3 milionë eurosh nga Ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë. Ky donacion do të shërbejë për realizimin e pesë projekteve konkrete, me fokus në plotësimin e flotës së transportit ushtarak dhe zhvillimin e kapaciteteve të mbështetjes mjekësore.
Për këtë takim ka raportuar edhe Ambasada e Gjermanisë në Kosovë.
“Gjermania vazhdon të qëndrojë krah për krah me Kosovën në forcimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë”, ka njoftuar Ambasada e Gjermanisë.
Sipas kësaj ambasade, ambasadori ka “theksuar mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë në kuadër të iniciativës ‘Enable and Enhance’, me 3 milionë euro në vitin 2026 për pesë projekte kyçe”.
“Këto projekte fokusohen në forcimin e shërbimeve mjekësore, logjistikës dhe kapaciteteve të zjarrfikjes brenda Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), kontribute konkrete që rrisin gatishmërinë operacionale dhe zhvillimin institucional.
Takimi përfshiu gjithashtu asistencën e vazhdueshme të Gjermanisë për trajnimin ushtarak: kadetët kosovarë, që aktualisht po ndjekin trajnim gjuhësor në Gjermani, do të vazhdojnë me arsimimin për oficerë në përputhje me standardet e NATO-s, një investim në gjeneratën e ardhshme të lidershipit brenda FSK-së. Përveç kësaj, programi bilateral për vitin 2026 parasheh një gamë të gjerë aktivitetesh të përbashkëta, duke përfshirë shkëmbime ekspertësh dhe trajnime në logjistikë, polici ushtarake dhe arsimim për oficerë. Gjermania ka qenë një partner i besueshëm për FSK-në që nga fillimi dhe mbetet e përkushtuar për thellimin e këtij bashkëpunimi dhe për mbështetjen e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit euroatlantik”, ka njoftuar Ambasada e Gjermanisë në Kosovë.



