Gjermania ndihmon Policinë e Kosovës

08 dhjetor 2022 | 12:13

Është mbajtur të enjten ceremonia e dorëzim-pranimit të donacionit me pajisje për Policinë e Kosovës nga Qeveria e Gjermanisë, i cili përmban pajisje profesionale për mbikëqyrje dhe kontroll të kufirit.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se shpreson që ky donacion nuk do të kontribuojë vetëm në sigurinë e shtetit ligjor, por edhe në sigurinë e përgjithshme. Në këtë kontekst, ai ka theksuar se bashkëpunimi në mes të dy shteteve në fushën e sundimit të ligjit, luftimit të krimit të organizuar e korrupsionit është jashtëzakonisht i ngushtë.

Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka falënderuar ambasadorin dhe shtetin gjerman për donacionin në vlerë rreth gjysmë milioni euro, duke theksuar se marrëveshja parasheh edhe ngritjen e hetimeve paralele dhe ekipeve të përbashkëta të hetimit mes dy policive, përdorimit të dosjeve të Sienës dhe Europolit.

“Ndërkohë janë duke vazhduar edhe trajnimet për policinë kufitare nga instruktorët e policisë gjermane dhe ashtu siç ne i zotohemi qytetarëve tanë, po ashtu i zotohemi edhe aleatëve dhe partnerëve se sundimi i rendit dhe ligjit, lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit është dhe do të mbetet fokusi ynë primar si qeveri, si parakusht për zhvillim e progres të vendit tonë”, ka thënë ai.

Kurse në emër të policisë, falënderime për ambasadorin Rohde, ka shprehur ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti. Ai ka thënë se “prezenca e policisë së shtetit gjerman në Kosovë tregon që kemi një bashkëpunim te ngushtë”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Futbollisti Kristjan Asllani në një intervistë për “La Gazzetta dello…