Gjilani hap Inkubatorin e agro-biznesit

22 prill 2021 | 14:36

Në Komunën e Gjilanit të enjten është hapur Inkubatori i agro-biznesit, i financuar nga Bashkimi Evropian, me bashkëpunimin e të gjitha komunave të regjionit të Lindjes dhe qëllim kryesor ka angazhimin e të rinjve në punë me kontrata të qëndrueshme në sektorin privat.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka theksuar se me bashkëpunimin ndërkomunal dhe me mbështetjen e Bashkimit Evropian është bërë i mundur ky projekt.

“Për këtë periudhë kohore të realizimit të projektit janë arritur shumë hapa të rëndësishëm që nga edukimi, punësimi e deri edhe të mbështetja në forma të ndryshme të të rinjve. Janë trajnuar 46 të rinj në përpunimin e produkteve agro, pastaj 50 të rinjve në bujqësi, 107 të rinj në Teknologjinë Informative. Po ashtu, janë kontraktuar 102 praktika në biznese të ndryshme agro në rajonin e lindjes, prej tyre 18 të rinj janë punësuar me kontrata të rregullta pune. Janë trajnuar 104 të rinj në kthimet e investimeve në bujqësi dhe 100 persona për zhvillimin e biznes planit. Përmes nën-granteve janë financuar 37 biznese fillestare dhe 7 biznese ekzistuese. Rezultatet e deritanishme të projektit janë sigurimi i qëndrueshëm i 100 vendeve të reja të punës”, ka theksuar kryetari Haziri, duke folur edhe hapjen e Inkubatorit të Agrobiznesit që është pjesa finale e këtij programi trevjeçar që është i lidhur ngushtë me shkollën e mesme të bujqësisë “Arbëria”.

“Synim kemi lidhjen e pikës së tretë që është Fakulteti i Bujqësisë, sepse tashmë këtu në këtë shkollë kemi laboratorët dhe teknologjinë më moderne për përgatitjen e të rinjve në fushën e agros”, ka thënë ai.

Lendrit Bunjaku, njëri nga të rinjtë përfitues i projektit nga Gjilani, përmes nën-granteve ka konfirmuar se atij i ka mundësuar ngritjen e serrës, rregullimin e sistemit të ngrohjes dhe ujitjes për kultivimin e luleve, derisa paralajmëron se nga 30 mijë fidane sa kishte këtë vit planifikimi për vitin e ardhshëm është në dyfishimin e kultivimit të luleve.

Në fund të këtij takimi është nënshkruar edhe memorandum i bashkëpunimit për kujdesin e mëtutjeshëm të inkubatorit dhe pajisjeve tjera përcjellëse.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka kundërshtuar…