Gjilani në bisedime me Zhdrellën, Januzin dhe Thaqin

03 gusht 2020 | 13:18

Është një nga ato rastet kur suksesi të shton “oreksin”. Pas një sezoni të jashtëzakonshëm të cilin e kurorëzoi me daljen në Evropë, Gjilani po punon vrullshëm në afatin kalimtar.

Presidenti Florim Zuka dëshiron të krijojë një skuadër të fortë për parakualifikimet e Ligës së Evropës dhe pretendente për titull në edicionin e ardhshëm.

Zuka ka “hapur kuletën” dhe pas analizës me kryesinë dhe shtabin teknik, po mundohet të sjellë super-transferime në klub.

“Olle” raporton se klubi bardhekuq është në bisedime të avancuara me tre yjet e Superligës, Mentor Zhdrellën e Llapit dhe dyshen e Prishtinës, Ahmet Januzin e Armend Thaqin.

Në fakt, për Thaqin Gjilani interesohet prej kohësh, ndërsa Zhdrella e Januzi po ashtu shihen si shumë të nevojshëm për repartin e mesfushës dhe të sulmit.

“Mund të konfirmoj që ne jemi në bisedime me disa super futbollistë brenda dhe jashtë vendit. Megjithatë, jemi në një fazë ku nuk mund të përmendim emra, pa arritur dhe finalizuar marrëveshjet me futbollistët”, ka thënë Zuka për “Olle”.

“Do të mundohemi të arrijmë sa më lartë, duke ditur se është hera e parë që Gjilani luan në garat ndërkombëtare. Gjithsesi, jemi optimistë dhe do të bëjmë maksimumin”, ka shtuar Zuka.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadori i ri gjerman në Prishtinës, Jorn Rohde, ka ndarë…