Gjilani pastron hapësirën rreth pendës së Livoqit

24 qershor 2021 | 13:55

Komuna e Gjilanit që nga data 5 qershor është duke bërë pastrimin e ambientit nga mbeturinat, gjithashtu edhe trotuaret, rrugët dhe në bazë të kalendarit të aktiviteteve të enjten së bashku me nxënësit e shkollave, me zyrtarët komunalë, me përfaqësuesit e Agjencionit për Zhvillim Rajonal – Lindje, kanë bërë pastrimin e hapësirës rreth pendës së Livoqit.

Drejtori i Administratës së Përgjithshme, njëherësh kryesues i aksionit për pastrim, Bardhyl Syla, ka thënë se fal mbështetjes qytetare, nxënësve të shkollave të Gjilanit, Policisë së Kosovës, Forcës së Sigurisë dhe pjesëmarrjes së gjerë institucionale, aktivitetet për pastrim të ambientit janë duke shënuar suksese.

“Aksioni do të zgjas deri më 30 qershor, mirëpo nuk do të thotë se nuk do të vazhdojë edhe më tutje. Në bazë të vlerësimeve që kemi bërë deri më tani, janë pastruar hapësirat publike në shumë lokacione në zonën urbane por edhe jashtë saj nëpër fshatra. Në kuadër të kësaj janë paraparë edhe shenjëzimet nëpër rrugë dhe trotuare, rregullim të ndriçimit publik, rregullimin e infrastrukturës, mirëmbajtjen e projekteve e deri te veprat artistike, muralet etj. Ambientin e pastër nuk mund ta mbajnë as institucionet dhe as kompanitë nëse nuk kemi bashkëpunim dhe kulturë qytetare”, ka thënë Syla.

Nga ana e tij, Agim Zeka, nga AZHR-Lindje, ka thënë se pastrimi i ambientit në pendën e Livoqit tashmë është një vazhdimësi e traditës që vazhdimisht angazhohemi së bashku me Komunën e Gjilanit për ta mirëmbajtur ambientin e pastër.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Drejtësisë në Shqipëri, Etilda Gjonaj, në fjalën e…