Gjini: Jam i propozuar për kandidat për kryeministër dhe bartës i listës së AAK-së
Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, ka bërë me dije se është propozuar si kandidat për kryeministër dhe bartës i listës zgjedhore të partisë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Pas takimit me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, Gjini ka deklaruar në konferencë për media se vendimi përfundimtar ende nuk është marrë dhe se ai pritet të konfirmohet nga Këshilli Drejtues i AAK-së.
“Vendimet në Aleancë i merr Këshilli Drejtues. Unë jam i propozuar për kandidat për kryeministër dhe për bartës të listës, por duhet me e prit vendimin e Këshillit Drejtues që besoj se do të ndodhë shumë shpejt”, ka thënë Gjini.
Ai ka thënë se AAK-ja është në fazën e përgatitjeve për zgjedhje dhe e sheh këtë proces si një garë të rëndësishme politike.
“Aleanca është duke u bërë gati për një betejë e cila ka të bëjë me atë që me ia dhënë Kosovës një qeveri normale”, ka thënë Gjini.



