Gjoshi pasi prokuroria urdhëroi rifillimin e numërimit: Në 2010, Mitrovica shkoi në rivotim për mungesë të baterive të llambave ultravjollcë
Pak më herët është njoftuar se Prokuroria në Mitrovicë ka urdhëruar rifillimin e numërimit në Qendrën e Numërimit në Mitrovicë, proces i cili do të nis në orën 16:00.
Për këtë kanë reaguar nga Partia Demokratike e Kosovës, më saktësisht Betim Gjoshi. Ky i fundit përmes një postimi në “Facebook”, ka thënë se çështjet si numrat serikë dhe kodet e vendvotimit, s’janë detaje të thjeshta që duhet të mos përfillen.
‘‘Detajet e fletëvotimeve, siç janë “numrat serikë” dhe “kodet e vendvotimit”, nuk janë detaje të thjeshta që duhet të mos përfillen. Ato janë pjesë përbërse e elementeve që garantojnë integritetin e procesit zgjedhor. Kështu llogariten me të drejtë në rregulloren e KQZ-së për fletëvotimet’’, ka shkruar Gjoshi.
Ai ka rikujtuar edhe që, pikërisht në qytetin e Mitrovicë, në vitin 2010, kishte pasur rivotim për shkak të mungesës së baterive të llampave ultravjollcë.
‘‘Dikush mund të pyes ‘e çfarë roli ka në integritetin e procesit zgjedhor mungesa e baterive’? Ju tregoj se pikërisht në vitin 2010 komuna e Mitrovicës ka shkuar në rivotim në mungesë të baterive të llampave ultravjollcë’’, ka shkruar Gjoshi.



