Gjoshi: Sot bëhen pesë vite që Kosovës iu morën kundër vullnetit figurat më të rëndësishme politike
Zyrtari i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, në pesë vjetorin e ndalimit të ish-krerëve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara në Hagë, ka kërkuar drejtësi dhe liri për çlirimtarët.
“Sot bëhen pesë vite që Kosovës iu morën pavullnetshëm figurat më të rëndësishme politike që pa asnjë shibël përfaqësonin historinë, vizionin shtetëror dhe kombëtar.
Në mungesën e tyre, Kosova endet si nëpër mjegull, pa drejtim dhe pa busull. Ata që sot drejtojnë shtetin, e kanë marrë peng dhe po e tërheqin zvarrë drejt greminës më të afërt, me vetëdije, jo nga paaftësia, por si pjesë e një strategjie për dështimin e Republikës.
Sot, uzurpatorët e institucioneve e kanë lënë Kosovën pa aleatë, pa forcë përfaqësimi dhe si shtet i sanksionuar nga Perëndimi. Dergjja e shtetit nuk është thjesht një pasojë e paaftësisë, por është synim i tyre.
Mungesa e tyre është boshllëk në udhëheqje dhe mbi të gjitha, është padrejtësi për historinë e lavdishme të UÇK-së dhe sakrificës së një populli të tërë për liri. Padrejtësia duhet të marrë fund e bashkë me të edhe ky lëngim 5-vjeçar i Kosovës që nuk prodhon as zhvillim, as shpresë, por vetëm e mban popullin dhe shtetin në kufijtë e ekzistencës.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, janë në Hagë në mbrojtje të së drejtës së popullit shqiptarë të Kosovës për liri dhe pavarësi. Kjo është e vërteta historike që të gjithë e njohim dhe s’mund të rishkruhet”, ka shkruar Gjoshi.



