GJURMËT E GJAKUT NË KUJTESË
Veprat që kanë në thelbin e tyre të vërtetën e luftës gjithmonë bartin një peshë të dyfishtë, e që janë: ajo e rrëfimit dhe ajo e dëshmisë. Sepse fjala në to nuk është vetëm art, por është një e vërtetë e cila paraqitet përmes artit poetik. Kam zgjedhur titullin “Gjurmët e gjakut në kujtesë” sepse përmbledh thelbin e veprës: një realitet të dhimbshëm që nuk mbetet vetëm në të kaluarën, por vazhdon të jetojë në ndërgjegjen e njeriut. “Gjurmët e gjakut” simbolizojnë sakrificën, dhunën dhe humbjet e luftës, ndërsa “kujtesa” është hapësira ku këto përjetime ruhen, rikthehen dhe nuk lejojnë harresën. Kështu, titulli shpreh idenë se e kaluara nuk është e mbyllur, por e pranishme vazhdimisht në jetën e individit dhe të shoqërisë, duke e bërë veprën një dëshmi të gjallë që kërkon të mbahet mend dhe të mos fshihet kurrë.
Në veprën “Ëndërr në zarf” të Ismail Sylës është ndërtuar një përmbledhje poetike jo vetëm në aspektin poetik, por edhe në atë të kujtesës dhe të rezistencës. Nuk mund të themi që është një vepër e cila mund të lexohet vetëm si poezi, ajo përjetohet. Përjetohet në formë ndjenjash dhe dhimbjesh që shumë prej familjeve tona vazhdojnë ta kenë në shpirtin e tyre. Që nga titulli i saj kuptojmë që në të fshihet një simbolikë e thellë e ngjarjeve të vërteta të luftës, ku në të fshihet kujtesa, dëshmia dhe kërkimi i së vërtetës. E tërë vepra ndërtohet mbi një tension mes asaj që është përjetuar dhe asaj e cila është fshehur, apo nuk është thënë plotësisht.
Thelbi i saj është përballja me të vërtetën që e kemi përjetuar. Ku secili prej kapitujve ka një të vërtetë të fshehur, që krijojnë një cikël të vazhdueshëm dhimbjesh në kujtesë. Lufta në Kosovë nuk është vetëm një ngjarje historike që ne e mësojmë apo e dëgjojmë nga të tjerët, por është një plagë e paharrueshme, një pjesë e jetës sonë që të tjerët nuk mund ta kuptojnë. “Xhiruan për dokumentarë. Por nuk panë gjë. Asnjë fokus kamere nuk e zuri ngjyrën e vdekjes, atë që kapet vetëm me shpirt.” (Ismail Syla, “Ëndërr në zarf”, Prishtinë 2025, fq. 28) E vërteta në veprën “Ëndërr në zarf” nuk paraqitet vetëm si ngjarje që ka kaluar, por si një realitet që vazhdon të jetojë në ndërgjegjen e individit dhe të shoqërisë po ashtu. Në tituj të ndryshëm të poezive autori thekson se dhimbja e luftës nuk është diçka që harrohet lehtë, ajo mbetet e hapur, e gjallë dhe rikthehet vazhdimisht në kujtesë.
Një dimension tjetër është ai i dëshmisë dhe i së vërtetës. Vepra, si një formë rezistence ndaj harresës, përpiqet që të zbardhë një realitet të hidhur të luftës, duke e shndërruar fjalën në akt moral. Kjo vihet re veçanërisht në pjesët ku trajtohet krimi dhe dhuna, ku njeriu përballet me anën e errët të së vërtetës.
Edhe pse autori vendos të përdorë një gjuhë të përmbajtur, prapëseprapë ajo është e ngarkuar thellësisht me emocione që barten në secilin rresht. Heshtja është po aq e rëndësishme sa fjalët. Ajo shndërrohet në një hapësirë ku lexuesi detyrohet të hyjë thellë në botën e autorit dhe të ndiejë atë që autori ka dashur të përcjellë. Pra secila prej tyre është një poezi e cila nuk mund thjesht të lexohet, ato përjetohen nga ne.
Në kapitullin e parë “Plagë që bari s’i mbulon”, poezinë e parë autori ia kushton 53 martirëve të masakruar në Poklek më 17 prill 1999. Ai tregon për hedhjen e tyre në bunar dhe se si u përjetua nga familjarët. Pastaj gjetja e trupave, një e vërtetë aq e hidhur, ku ende shumë familje e vuajnë humbjen e fëmijëve apo familjarëve të tyre të vdekur. Në këtë pjesë shumë herë autori specifikon se ata nuk janë harruar. Një motër, një vëlla, një baba dhe një nënë, gjithmonë pas sa e sa vitesh, i kujtojnë dhe çdo herë ndiejnë po të njëjtën dhimbje si ditën e parë.
Pastaj në kapitullin tjetër “Kova – histori në katër akte” tregohet historia para përjetimeve të fundit. Tregohet se si ka qenë bunari dhe dëshmitarja që pa çdo gjë. E rëndësishme në këtë kapitull është kova e cila vendoset në muze. Kova e zbukuruar dhe e lëmuar vendoset në xham me mbishkrim: “përdorëse e jetës së përditshme në fshat” (Ismail Syla, “Ëndërr në zarf”, Prishtinë 2025, fq. 70). Edhe pse ajo kishte tjetër kuptim, nuk ishte thjesht një mjet për ujë, ajo u konsiderua si e tillë. Të bëmat, gjaku dhe plagët u fshinë dhe u vendos në muze.
Kapitulli “Nën thundrën e krimit” është një nga kapitujt më të fuqishëm. Ky kapitull sjell në mënyrë të drejtpërdrejtë përballjen me realitetin e luftës. Këtu poezia dhe artistikja marrin një dimension tjetër, pra atë të dëshmisë kundër harresës, të kujtimit të plagëve. Secili familjar apo i afërm ka diçka nga ata që nuk u kthyen më kurrë. Njëri ruan këpucët, tjetri një letër, njëri tavën, tjetri nuk e kishte ndërruar më orën; ajo kishte mbetur aty ku u ndal.
Interesante në këtë vepër është edhe simbolika e ëndrrës dhe e zarfit, ku krijohet një kontrast mes të dyjave. Duke menduar që ëndrra është diçka e lirë dhe e pakufishme, mund të mendojmë se si është e mundur që të jetë në një zarf. Por kur e lexojmë veprën kuptojmë që edhe mundet. Atyre iu shtypën ëndrrat, nuk iu dha mundësia të ëndërrojnë. Në zarf fshihet e fshehta, ndërsa me anë të ëndrrës bartet shpresa dhe këto dy simbolika qëndrojnë njëra me tjetrën.
Po ashtu, vepra trajton edhe gjendjen shpirtërore të individit në atë kohë dhe pas vdekjes apo zhdukjes së përsonave të afërt. Ankthi, frika dhe pasiguria janë pjesë e vazhdueshme e të gjallëve që mbetën pas. Njeriu shfaqet i thyer, i pasigurt në atë që ndien. Kjo e bën veprën një pasqyrim të realitetit të jashtëm, por njëkohësisht edhe një analizë të thellë të botës së brendshme.
Në kohën kur rreziku për t’i harruar gjërat e së kaluarës është i madh dhe gjithmonë i pranishëm, kjo vepër vjen si një dokument për t’i rikujtuar ato. Autori na rikujton të vërteta që nuk thuhen e ndoshta edhe fshihen, por që gjithmonë mbesin si një plagë e pa mbyllur në historinë e popullit tonë. Kështu, ne në formën artistike që autori vendos ta shprehë, e kujtojmë të vërtetën e popullit tonë.
Një element që e pasuron shumë veprën e autorit është ndërtimi i saj. Sepse në këtë vepër poezitë nuk ndjekin gjithmonë një strukturë të njëjtë, ato shpesh janë të ndryshme dhe reflektojnë një realitet të hidhur. I rëndësishëm është përdorimi i simbolikave si bunari, kova apo edhe ora e ndalur, që edhe pse janë objekte, ato shndërrohen në elemente kujtese. Kështu, këto poezi nuk janë vetëm për t’u lexuar, por edhe për t’u ndjerë. E vërteta që jepet nga pikëpamja e autorit lë hapësirë për t’u plotësuar vetë nga lexuesi. Kështu, me anë të kësaj, leximi bëhet më aktiv, ku secili përballet me kujtimet, ndjenjat dhe mënyrën e tij të interpretimit. Në të njëjtën kohë, edhe lexuesi bëhet pjesë e dëshmisë që jep autori dhe jo vetëm një vëzhgues i saj.
Lexuesi gjendet përballë përgjegjësisë: a kemi bërë mjaftueshëm për ta ruajtur këtë të vërtetë të hidhur? Kështu secilit i lind një ndjenjë faji për këtë situatë. Mënyra se si trajtohet koha është po ashtu është i rëndësishëm. Ajo nuk i tregon ngjarjet në mënyrë lineare, por herë kthehet në të kaluarën e herë tregon për ata që mbetën, ku e kaluara dhe e tashmja bashkëjetojnë në kohë të ndryshme. Kjo ndërthurje e kohëve e bën dhimbjen më të fortë, sepse ajo nuk mbyllet në të kaluarën, por rikthehet si një plagë e hapur.
Këtu jo çdo gjë thuhet drejtpërdrejt, një pjesë e saj mbetet e fshehur, e nënkuptuar apo edhe e heshtur. E pathëna në këtë vepër lidhet shumë ngushtë me përjetimet e luftës, ku ka dhimbje që nuk përshkruhen me fjalë dhe ka përjetime që mbeten në heshtje. Kjo, në njëfarë forme, lidhet edhe me heshtjen e shoqërisë, sepse shumë ngjarje nuk janë treguar plotësisht dhe janë lënë në hije, apo janë futur në “zarf”. Me anë të poezive autori përpiqet ta thyejë këtë heshtje, ku secila fjalë e plotëson atë boshllëk që ata që i përjetuan nuk e patën guximin ta thonë.
Përfundimi i veprës nuk është në poezinë e fundit, sepse ngjarjet vazhdojnë të ndihen e të përjetohen në mendje e në shpirt. Mënyra se si secila prej poezive ndjehet është një emocion i veçantë që ato japin. Si përfundim, vepra “Ëndërr në zarf” është një vepër që kalon dimensionin estetik dhe shndërrohet në një dokument dhe e vërtetë e hidhur e një kohe të vështirë.
Kjo vepër na kujton se lufta nuk përfundon vetëm kur pushtuesit largohen; ajo vazhdon të jetojë në kujtesë dhe në ndërgjegje. Me anë të gjuhës poetike të ndjeshme dhe të thellë, Ismail Syla arrin të ndërtojë një vepër që na fton të ndiejmë dhe, mbi të gjitha, të mos harrojmë. T’i kujtojmë ata që dhanë jetën për lirinë që kemi sot dhe se disa gjëra nuk shkruhen vetëm për t’u lexuar, por për të mos u harruar kurrë.
(Në kuadër të lëndës “Letërsi aktuale shqipe – niveli master” studentja Arlinda Aliçkaj ka përgatitur shkrimin “Gjurmët e gjakut në kujtesë” për librin tim “Ëndërr në zarf”, të Ismail Sylës me sugjerim të profesorit të lëndës dr. Sali Bashota dhe profesoreshës dr. Serafina Lajçi.)



