Gjykata ia refuzon ankesën Gramoz Vokrrit, FFK-ja ndihet fituese

04 prill 2022 | 17:10

Gjykata Themelore e Prishtinës ia ka refuzuar ankesën Gramoz Vokrrit. I menjëhershëm ka qenë reagimi i FFK-së, e cila pretendon se e drejta është në anën e saj. “Dy aktvendimet e Gjykatës Themelore në Prishtinë vërtetojnë që thirrja e Kuvendit të FFK-së për datën 6 prill 2022 është e ligjshme, si dhe organet e brendshme të FFK-së kanë trajtuar drejt procesin e mbarëvajtjes së Kuvendit të Rregullt dhe Zgjedhor”, thuhet në reagimin e Federatës së Futbollit të Kosovës.

Gjykata Themelore e Prishtinës të hënën ia ka refuzuar ankesën Gramoz Vokrrit. Ky i fundit ishte ankuar në gjykatë, se Kuvendi Zgjedhor i FFK-së është i parregullt. Por, kjo gjykatë e ka vlerësuar të pabazë ankesën e tij. Siç dihet, Gramoz Vokrrit iu pamundësua garimi për kryetar të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) për shkak të disa nënshkrimeve të delegatëve të cilat ishin shpallur të pavlefshme. Pas këtij vendimi ka reaguar edhe FFK-ja, e cila pretendon se e drejta ishte në anën e saj. Sipas Federatës së Futbollit, Gjykata Themelore në Prishtinë, me dy vendimet e saj, ka konfirmuar ligjshmërinë e thirrjes së Kuvendit të Rregullt Zgjedhor për kryetar të FFK-së, i caktuar për datën 6 prill.

“Gjykata Themelore në Prishtinë përmes këtyre dy aktvendimeve nuk ka gjetur asnjë shkelje dhe paligjshmëri në lidhje me Kuvendin e FFK-së që do të mbahet me 6 prill 2022 dhe as me kompetencat e sekretarit të FFK-së, në mbarvjatjen e këtij Kuvendi. Ashtu si kemi qenë të bindur qysh në fillim se organet kompetente të FFK-së kanë bërë thirrjen e Kuvendit në konformitet me normat statutare të FFK-së, ligjet e aplikueshme në Kosovë dhe Statutet e UEFA-së dhe të FIFA-së, po ashtu sot nga të dyja aktvendimet e Gjykatës Themelore në Prishtinë vërtetohet që thirrja e Kuvendit të FFK-së për datën 6 prill 2022 është e ligjshme, si dhe organet e brendshme të FFK-së e kanë trajtuar drejt procesin e mbarëvajtjes së Kuvendit të Rregullt dhe Zgjedhor”, thuhet në reagimin e FFK-së.

“Ashtu siç kemi qenë të bindur që nga fillimi, FFK është në një proces të rregullt dhe të ligjshëm, dhe se FFK nuk është lëkundur asnjëherë nga e drejta e saj për ta organizuar Kuvendin e Rregullt Zgjedhor me datën 6 prill 2022. Këto aktvendime të Gjykatës Themelore në Prishtinë, si dhe konfirmimet nga UEFA dhe FIFA, e konfirmojnë angazhimin e FFK-së në rrugën e saj të drejtë dhe ligjore për organizimin e Kuvendit të FFK-së për datën 6 prill 2022”, thuhet në këtë njoftim.

FFK-ja, po ashtu, ka njoftuar se në kuvendin e 6 prillit tashmë e kanë konfirmuar pjesëmarrjen zyrtarë të lartë të UEFA-s, të FIFA-s, të MKRS-së dhe të KOK-ut, të cilat do ta bëjnë monitorimin e këtij kuvendi.

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Manchester City dhe Liverpooli, aktualisht të ndarë me vetëm një…