
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë brenda 30 dite jep vendimin për Metën
Për herë të parë në historinë e saj, Gjykata Kushtetuese e Shqiperisë, brenda 30 ditëve do të dalë me një vendim pro ose kundër shkarkimit të Ilir Metës, si President i Republikës së Shqipërisë.
“Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda 30 ditëve nga marrja e vendimit”, tha kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, pasi dëgjoi konkluzionet e të dyja palëve.
Seanca e 7 shkurtit nisi në orën 10:00 dhe me polemika mes palëve dhe jo vetëm. Përfaqësuesi ligjor i Metës, Bledar Dervishaj, ka debatuar me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese mbi mënyrën e kthimit të përgjigjeve drejtuar Presidentit. Presidenti Meta edhe në këtë seancë nuk ishte i pranishëm, por u përfaqësua nga këshilltari i tij ligjor Bledar Dervishaj.
Ndërkohë, nga Kuvendi në Kushtetuese u paraqiten kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka dhe kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla.
Në një deklaratë për mediat jashtë dyerve të gjykatës Balla tha se tashmë si Presidenti Ilir Meta, si partitë politike e kushdo tjetër duhet të presë në heshtje vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Vendimet për rrëzime apo pranime i merr vetëm Gjykata Kushtetuese. Ne kemi detyrimin që nga ky monument, që është mbyllur procesi, të respektojmë pavarësinë e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese. Mendoj se nga momenti i përfundimit të procesit, të gjithë ne kemi detyrimin, përfshirë Presidentin, partitë e kushdo tjetër, të ruajmë heshtjen institucionale, derisa Gjykata Kushtetuese, brenda afatit 30-ditor, të shprehet, me gjithë arsyetimin. Procesi ka qenë për t’u përshëndetur. Mendoj se çdo deklaratë e imja apo e palëve të tjera të përfshira në proces nuk do i bënte mirë procesit”, ka deklaruar Balla./tch/