
Gjykata në Hagë, gjykatë paralele serbe për Kosovën
Shkruan: Kudusi Lama, gjeneral në pension
Po dëgjoi nëpër televizione dhe lexoi nëpër shkrime të thuhet se Gjykata Speciale në Hagë e themeluar nga Parlamenti i Kosovës, është gjykatë politike.
Më duket se në kushtet ku jeton shoqëria sot dhe ku po kalojnë gjithë popujt, jo vetëm shqiptarët, të gjitha gjykatat janë politike. Gjykata të drejtësisë hyjnore dhe jetësore të së drejtës nuk besoj se ka pasur as nuk besoj se do të ketë edhe disa shekuj. Por në kushtet e kësaj gjykate – Gjykatës Speciale në Hagë të themeluar nga Parlamenti i Kosovës, duket se kemi të bëjmë me një mostër të pashoqe në historinë e kohës tonë, pa pretenduar të them se nuk ka ndodhur kurrë, pasi nuk di a kam njohuri të plota për këtë.
Kjo gjykatë është gjykatë paralele serbe për Kosovën. Kjo gjykatë vërtetë u themelua nga Parlamenti i Kosovës, por me mashtrimin e Evropës. Evropa u bë garantë e të drejtës në analizën e ecurisë së kësaj gjykate. Por që e tradhtoi ose e la në harresë këtë çështje sapo kjo gjykatë u krijua me vullnetin e parlamentit të Kosovës. Shqip kësaj i thonë prerje në besë. Evropa siç duket e kishte të qartë që në fillim të këtij akti, se po krijonte një gjykatë paralele serbe për Kosovën, të krijuar nga Kosova, por që do të punonte për interesat e Serbisë. Është për t’u çuditur sa pa dhimbje na kanë mashtruar. Sepse i drejti edhe mashtrohet. Shqiptarët e miratuan atë gjykatë, duke e ditur se nuk i kishin borxh askujt asgjë. Nuk u kishte shkuar mendja luftëtarëve se Evropa po ngrinte një kurth kundër tyre, për t’i vënë në bankën e të akuzuarit, pse kanë luftuar për të çliruar atdheun e tyre. Tashmë është kuptuar qartë, se kjo Gjykatë Speciale në Hagë e themeluar nga Parlamenti i Kosovës, nuk është gjë tjetër veçse gjykatë serbe për Kosovën.
Është i pabesueshëm një akt i tillë në këtë kohë moderne të popujve të qytetëruar. Si ka mundësi të bëhet një pabesi kaq e madhe kundër një populli që ka luftuar 100 vjet për çlirim nga pushtimi, duke e gjykuar për interesat e pushtuesit, me metodat e pushtuesit, duke marrë peng pikërisht personazhet që i ka dënuar edhe pushtuesi, me dëshmitarët e pushtuesit, me dokumentet e pushtuesit, në marrëdhënie me prokurorët e pushtuesit? Këtë mundi ta bëjë vetëm Evropa “moderne”.
Kështu që kemi ardhur në atë stad, për të parë qartë, se jemi përballë një gjykate paralele serbe për Kosovën, që nuk jep llogari për asgjë dhe nuk i jep llogari askujt. Kuptohet jep llogari atje ku merr instruksionet dhe dosjet e akuzave – në Beograd.
Kjo gjykatë tashmë duket qartë se është mostra e kohës sonë. Evropa bën mirë të distancohet sa më parë prej saj. Të kuptojë se ka gabuar, në qoftë se nuk është bërë me qëllim themelimi i kësaj gjykate prej saj. Për më tej, do të bëj apel e thirrje shtetit të Kosovës, institucioneve shoqërore, kulturore, arsimore dhe ekonomike, si dhe gjithë organizatave e shoqatave të ndryshme në Kosovë, ashtu Organizatës së Veteranëve të UÇK-së dhe shoqatave të dala prej saj, gjithë popullit të Kosovës: Të organizohet një referendum gjithë popullor, për ta quajtur këtë gjykatë jo përfaqësuese e popullit të Kosovës, për ta quajtur këtë gjykatë me emrin e vërtetë të saj – gjykatë paralele serbe për Kosovën.
Dhe nëse pretendohet në Kosovë se janë shkrirë apo duhen shkrirë strukturat paralele serbe, e para që duhet shkrirë si strukturë paralele që po na shkatërron historinë tonë është Gjykata Speciale e ngritur në Hagë.
Për këtë do të apeloja gjithë sistemit të drejtësisë në Kosovë, të përcaktojë arsyetimet që të bëjë të qartë për të gjithë ligjërisht se kjo gjykatë është institucion paralel serb në e për Kosovën dhe u shërben vetëm interesave serbe e ndëshkon Kosovën dhe nuk i jep llogari Kosovës.
Shqiptarët e të gjitha kategorive duke filluar nga kryetari i shtetit e deri te qytetari i fundit i vendit tonë, duhet të jenë të qartë se Serbia edhe me ligj ka krijuar sistem gjyqësor të veçantë për Kosovën, çka e intensifikon më tej trysninë në drejtim të vënies nën kontroll të jetës ligjore në Kosovë në ditët e sotme, pasi e di se për periudhën e Luftës Çlirimtare të Kosovës e ka plotësisht nën kontroll nëpërmjet Gjykatës Speciale në Hagë.
Evropa dhe gjithë opinioni ndërkombëtar duhen vënë përballë unitetit të popullit të Kosovës dhe institucioneve që ai ka ndërtuar për ta udhëhequr, si dje në luftë. Po e bëmë këtë asnjë institucion serb nuk do të mund më të funksionojë paralel për të na vlerësuar e dënuar jetën dhe historinë tonë.
Nëse Evropa ka synime të fshehta e kemi për detyrë ne ta detyrojmë t’i bëjë publike. Por nuk mund të lejohet të tolerohet ilegaliteti serb nën maskën e forcës së Evropës.
Çdo gjykatë e Kosovës dhe për Kosovën, i jep llogari Kosovës dhe popullit e institucioneve të Kosovës. Kujt i jep llogari Gjykata Speciale në Hagë e themeluar nga Parlamenti i Kosovës?!!!
Ekzistenca e kësaj gjykate paralele serbe për Kosovën është kompromis me sovranitetin e vendit. Dua të besoj se askush në Kosovë nuk e pranon këtë kompromis. Të ja dërgojmë pra Evropës e gjithë opinionit ndërkombëtar 2 milionë e gjysmë kundërshtime të popullit të Kosovës, për veprën mostër të kësaj Gjykate Speciale në Hagë të themeluar nga Parlamenti i Kosovës, por që doli të jetë gjykatë paralele serbe për Kosovën. Jemi të lirë, jemi shtet, jemi NE. Të mos lejojmë askënd të na konsiderojë se nuk jemi të lirë, se nuk jemi shtet.