Gjykata në Moskë lë në fuqi dënimin prej 9 vjetësh burgim ndaj Navalnyt

24 maj 2022 | 16:44

Gjykata e qytetit të Moskës ka lënë në fuqi vendimin për burgim prej 9 vjetësh për politikanin opozitar, Aleksei Navalny, i cili veçse është në burg për një dënim të mëhershëm. Ai dhe mbështetësit e tij, kanë  thënë se akuzat janë të motivuara politikisht.

Navalny ka marrë pjesë në seancën dëgjimore të 24 majit përmes video-lidhjes nga burgu në rajonin Vladimir.

Kritiku i Kremlinit, që është dënuar me 9 vjet burgim në mars, teksa ishte duke e vuajtur një dënim për një vepër tjetër, gjatë fjalimit përfundimtar, duket se ka dënuar autoritetet ruse për pushtimin e paprovokuar të Ukrainës, dhe ka përsëritur qëndrimet se të gjitha akuzat ndaj tij janë të motivuara politikisht.

“Jeni ju, sistemi juaj dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin që jeni tradhtarët e popullit rus. Unë jam i gatshëm të qëndroj në burg për t’ua dëshmuar të gjithëve në Rusi se kështu është e vërteta”, ka thënë Navalny para gjykatës.

Më 22 mars, Navalny është dënuar me 9 vjet burgim për shkak të akuzave për përvetësim dhe mosbindje ndaj gjykatës.

Ndërsa më 24 maj, një gjykatë tjetër në Moskë ka refuzuar një apel tjetër të Navalnyt, pasi shërbimi monitorues financiar shtetëror, “Rosfinmonitoring”, e ka shtuar atë dhe 11 bashkëpunëtorët e tij në listën e “terroristëve dhe ekstremistëve”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lideri i partisë djathtiste në Serbi, Partisë Radikale Serbe, Vojsllav…