Gjykata në Prizren cakton seanca dëgjimore për 109 persona të ndaluar për vjedhje votash
Gjykata Themelore në Prizren ka njoftuar mediat se sot, më 24 janar 2026, duke filluar nga ora 14:00, janë caktuar seanca dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë lidhur me një rast penal në të cilin janë ndaluar 109 persona.
Sipas njoftimit zyrtar, personat janë ndaluar më 23 janar 2026 nën dyshimet për kryerjen e veprave penale kundër të drejtës së votimit.
Nga Gjykata bëhet e ditur se ky njoftim vlen vetëm për kohën e mbajtjes së seancave dëgjimore, ndërsa theksohet se procesi i pranimit të kërkesave nga Prokuroria Themelore në Prizren për caktimin e masës së sigurisë ende nuk ka përfunduar.
Si rrjedhojë, numri përfundimtar i kërkesave dhe i personave për të cilët do të kërkohet masa e sigurisë nuk është ende i konfirmuar.
Gjykata shton se caktimi i seancave është bërë me qëllim të organizimit dhe mbarëvajtjes së procesit gjyqësor.



